Qalaj kërkon ngritje të disiplinës dhe integritetit policor

E publikuar: 31/10/2018 16:54
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës (PK-së), z. Rashit Qalaj, mbajti një takim zyrtar me menaxhmentin policor të Policisë së Kosovës, në të cilën morën pjesë drejtorët e departamenteve, drejtorët e divizioneve, drejtorët rajonalë, komandantët e stacioneve policore, si dhe përfaqësues nga ICITAP-i amerikan.

Ky takim zyrtar ishte i një rëndësie të veçantë, me fokus në realizimin e objektivave strategjike të Policisë së Kosovës, menaxhimin sa më efikas policor, e në veçanti u potencuan dhe njëherit u kërkua në vazhdimësi ngritja e disiplinës, performancës dhe integritetit policor.

Po ashtu u diskutuan edhe çështjet kyçe që kanë të bëjnë me sigurinë e përgjithshme në vend, sigurinë e qytetarit, bashkëpunimin dhe takimet me komunitetin, luftën kundër korrupsionit, sigurinë në trafik, parandalimin e veprave kriminale, si vjedhjet, grabitjet, drogat, trafikimi me qenie njerëzore etj.

Nga stafi menaxherial u kërkua të angazhohen edhe më shumë në të gjitha nivelet policore, e në veçanti kur ka zhvillime apo procese mjaft të rëndësishme për vendin, në mënyrë që të krijohet një klimë edhe më e qetë dhe më e sigurt për të gjithë qytetarët, e që kontribuon edhe në sigurinë e përgjithshme të vendit.

Drejtori Qalaj theksoi se përmes vlerësimit të performancës së zyrtarëve policorë, përmes menaxhimit sa më efikas të burimeve njerëzore dhe atyre logjistike, mund të arrihen rezultate edhe më pozitive në shumë sfera policore.

Ky takim i cili ishte i një përbërje mjaft të gjerë rezultoi me zotimin për angazhime shtesë nga të gjithë të pranishmit, me qëllim të përmbushjes së detyrave dhe obligimeve policore, të cilat janë në interes të qytetarëve dhe të vendit./Infosot/