Drejtori Ekzekutiv i BBG: Ne i përgjigjemi propagandës ruse me fakte

E publikuar: 14/09/2017 22:13
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shtetet e Bashkuara po i përgjigjen propagandës së Rusisë me përpjekje të reja mediatike, synimi i të cilave është që t’u kundërvihen “shtrembërimeve të Kremlinit” me lajme objektive, u shpreh sot përpara Senatit, Drejtori Ekzekutiv i BBG-së, John Lansing.

Lansing u shpreh të enjten se ka parë “një shpërthim global të propagandës dhe gënjeshtrave”. Ai shtoi se agjencia qeveritare që ai mbikëqyr po u kundërvihet tashmë në mënyrë aktive, me fakte, informacioneve të pasakta. BBG-ja është organizata mëmë e “Zërit të Amerikës” dhe mediave të tjera.

Lansing shpjegoi në detaje përpjekjet e BBG-së për t’iu kundërpërgjigjur keqinformimit rus, duke shtuar audiencën në mbarë botën të atyre që flasin gjuhën ruse. Lansing përmendi në mënyrë specifike “Current Time”, një kanal informativ në gjuhën ruse i cili, sipas një videoje promovuese të paraqitur prej tij, “u vjen në ndihmë shikuesëve që të bëjnë dallimin midis faktit dhe sajesës”. [[https://www.currenttime.tv/]]

Ai shtoi më tej se dokumentaret e “Current Time” janë ndjekur nga më shumë se 300 milion[ njerëz midis muajve janar dhe korrik të këtij viti, ku rreth gjysma e klikimeve ishin nga brenda Rusisë.

Propaganda ruse është vënë nën hetim, që me përpjekjet për të ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në Amerikë, por dhe në zgjedhje në vende të tjera të Europës.

Senatori Cory Gardner solli në vëmendje agresionin rus në Ukrainë dhe shpërndarjen e lajmeve të pasakta gjatë zgjedhjeve presidenciale amerikane. Ai shtoi se Shtetet e Bashkuara duhet të bëjnë më tepër për të luftuar “ndërhyrjen agresive të Rusisë në zgjedhjet në vendet perëndimore”.

“Nuk duhet t’i lëmë të kalojnë të pandëshkuara këto veprime të Rusisë, por duhet t’i identifikojmë dhe luftojmë ato me çdo mjet që kemi në dispozicion”, tha Gardner.

BBG-ja ka ndërmarrë gjithashtu një projekt të ri të titulluar “Polygraph,” [[https://www.polygraph.info/ ]] që John Lansing tha se shërben si një program që kontrollon faktet dhe kështu “zbulohen shtrembërimet e Kremlinit”.

Programi ka të bëjë me grupe gazetarësh që “analizojnë citime, lajme dhe raportime të publikuara nga zyrtarë të qeverisë, media të sponsorizuara nga qeveria dhe persona publikë”, shkruhet në faqen e internetit të “Polygraph”.

“Megjithatë, diçka nuk e bën BBG-ja”, u shpreh Lansing, “propagandën”.

“Puna jonë mbrohet nga një barrierë ligjore, e cila nuk i lejon qeverisë amerikane të ndërhyjë në linjën tonë editoriale. Është e rëndësishme që kjo të kuptohet”, tha ai.