Drejtësia “mbledh” mazhorancën, 88 vota në Kuvend (Video)

E publikuar: 30/03/2017 21:49
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Si për të sfiduar të gjithë skeptikët, të enjten mazhoranca tregoi se nuk kishte rrjedhje në vota. Zërat brenda PS-së dhe LSI-së janë bërë të larmishëm, por në seancë dhe votim, Reforma në Drejtësi bashkoi mazhorancën.

Shtatë ligjet e rëndësishme, të cilat janë pjesë e Reformës në Drejtësi, morën 85 votat e plota të Aleancës për Shqipërinë Europiane, plus ato të Mhill Fufit dhe dy deputetëve të LIBRA-s, Ben Blushi dhe Mimoza Hafizi, duke e çuar numrin e tyre në 88.

Tashmë, nga paketa e ligjeve shoqëruese të Reformës në Drejtësi mbeten ende për t’u diskutuar e votuar edhe 20 ligje.

Por pavarësisht avancimit në këto ligje, procesi i “vetting”-ut vijon ende të jetë i bllokuar, për sa kohë opozita nuk paraqet 3 emrat e saj për anëtar të Komisionit që do të përzgjedhë anëtarët e Komisionit të “Vetting”-ut.

Veprim ky, i cili ka çuar në paralizimin e të gjithë Reformës në Drejtësi dhe mosvënien në punë të institucioneve të reja, që dalin pas votimit unanim të ndryshimeve kushtetuese të 21-22 korrikut.