Drecun: Për statusin e Kosovës duhet të deklarohen qytetarët e Serbisë

E publikuar: 25/05/2018 15:33
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Këshillit për Kosovën në Kuvendin e Serbisë Milovan Drecun ka deklaruar sot se nëse arrihet marrëveshja që do ta rregullonte statusin përfundimtar të Kosovës, do të jetë e domosdoshme që qytetarët e Serbisë të deklarohen për të, transmeton Koha.net.

Ai nuk ka sqaruar nëse, në këtë rast, fjala është për referendum ose për zgjedhje.

Drecun për rts ka thënë se aktualisht ekziston një rezistencë e madhe e Prishtinës dhe e bashkësisë ndërkombëtare që për statusin e Kosovës fare të mos flitet, pasi ata mendojnë se kjo çështje është zgjidhur.

“Kosova dhe vendet perëndimore llogarisin se me anë të presionit, madje edhe shantazhit, do ta detyrojnë Serbinë të heqë dorë nga pjesa e territorit të saj”, ka thënë Drecun.

Duke komentuar faktin se EULEX më 14 qershor, pas 10 vjetësh, do ta përfundojë misionin e vet në Kosovë, ai ka theksuar se kjo është në kundërshtim të plotë me Rezolutën 1244.

Sipas tij, ky vendim do ta destabilizojë edhe më shumë popullin serb, ndërsa ka përfunduar se autoritetet serbe nuk janë të kënaqura me punën e përgjithshme të EULEX-it.