Draxler firmos me PSG

E publikuar: 24/12/2016 17:58
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ende pa u hapur zyrtarisht merkatoja e futbollit europian këtë dimër, PSG arrin të shtojë një tjetër gur të çmuar në kurorën e yjeve në ekip. Formacioni parizien, që prej vitesh bëhet protagonist në treg falë milionave të sheikut Mansur, ka bindur talentin gjerman, Julian Draksler që të transferohet në kampionatin francez në ditët e para të janarit.

4 vjet e gjysmë është marrëveshja që prokuratorët e mesfushorit të Volfsburgut negociuan me ekipin francez dhe nga kjo marrëveshje skuadra e Bundesligës do të përfitojë 35 milionë Euro. 23-vjeçari, kontigjent i kombëtares gjermane, shquhet për klasin teknik dhe nuk e ka fshehur se dëshironte largimin nga Ujqërit për të provuar të fitojë trofe me një ekip me më shumë mundësi.

Ish-sulmuesi i njohur holandez Patrik Klaivert, sipas mediave, ishte ai që inicioi dhe pagëzoi transferimin e bujshëm të Julian Draksler. Ai do të mbajë fanelën me numrin 23 te PSG, pikërisht të njëjtin numër me të cilin shëtiste Dejvid Bekham në fushë, kur luante në Ligën franceze. Dy klubet në fjalë kanë rënë dakord për të mbajtur të fshehta detajet financiare të transferimit.

Julian Draksler u largua nga Shalke në vitin 2015 për të firmosur me Volfsburgun pavarësisht ofertave nga gjysma e Europës, por zgjedhja e tij nuk rezultoi në pritshmëritë e futbollistit gjerman. Te Ujqërit e Bundesligës, ai shënoi 23 gola.