Drashkoviq: Deshëm ne apo jo, Kosova është shtet

E publikuar: 31/05/2015 21:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Vuk Drashkoviq e pranon se kthimi i Kosovës brenda Serbisë është vetëm mit e që nuk ka të bëjë me realitetin

Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë dhe kryetari i Partisë së Ripërtëritjes Serbe (SPO), Vuk Drashkoviq në një intervistë ekskluzive për Indeksonline ka fol për gjendjen dhe raportet mes Kosovës dhe Serbisë.
Ai e pranon se kthimi i Kosovës brenda Serbisë është vetëm mit e që nuk ka të bëjë me realitetin. Drashkoviq për Indeksonline thotë se Kosova do të largohet nga Preambula e Kushtetutës së Serbisë.
Ai po ashtu, dha mendime edhe për një sërë çështjesh, përfshi edhe Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.
Indeksonline: Z. Drashkoviq, cila është Kosova sot sipas teje?
Vuk Drashkoviq: Nga vitit 1999 nuk ekziston asnjë sovranitet i shtetit të Serbisë mbi Kosovën dhe shteti i Serbisë si shtet është tërhequr nga Kosova atëherë. Ne e kemi preambulën kushtetuese e cila thotë se Kosova është pjesë autonome e Republikës së Serbisë, dhe ajo preambulë me ndryshimet kushtetuese do të hiqet. Siç e dini preambula nuk e obligon askënd dhe kjo nga se është e drejtë e bazuar mbi parimet e të drejtës Romake, do të thotë ‘Lege imposibilo nula pena obligacio’ – Norma e cila nuk mund të ekzekutohet nuk e obligon askënd, dhe kjo është e qartë. Besoj që Serbia nuk do të pretë shumë për De Golin e saj, dha kjo nga se realiteti nuk mund të ndryshohet duke e mohuar realitetin. Ju mund të vajtoni që Kosova nuk është në përbërje të Serbisë, por nuk mund të ndryshohet realiteti duke e mohuar atë. Në Serbi ka mjaftë të atillë që provojnë ti mpijnë, ti gënjejnë të tjerët dhe jo pa qëllim, pas Marrëveshjes së Brukselit na ofrohet Platforma e cila niset nga ajo se gjoja ne duhet t’u ofrojmë shqiptarëve të Kosovës ta pranojnë Kushtetutën e RSFJ të vitit 1974. Kjo është e pabesueshme, jashtë çdo logjike normale, pra ne t’u ofrojmë sllovenëve, kroatëve e boshnjakëve ta pranojnë Kushtetutën e vitit 1974.
Indeksonline: Ekziston përshtypja se Serbia ende flet për mitin e Kosovës. Cili është shpjegimi juaj?
Vuk Drashkoviq: Propaganda e elitës kombëtare dhe asaj kishtare në Serbi, thjesht e ka shlyer dallimin në mes të mitit në një anë dhe realitetit në një anë. Miti si i tillë është fascionues, por ajo ka nxjerr gjithherë dy dilema të cilat serbët i kanë pasur, e ato ishin mes vdekjes dhe jetës. Që nga miti për Llazarin ne kemi zgjedhur vdekjen dhe jo jetën, në mes të humbjes dhe fitores ne e zgjedhim humbjen. Nga popujt evropian ndoshta vetëm me polakët kemi ngjashmëri nga se ne i festojmë humbjet. Serbët humbjet i adhurojnë edhe pse ka pas edhe fitore. Cili është dallimi mes dilemës së Llazarit për perandorin qiellore me atë parullën e ’41 “më mirë në varr se sa rob”. Tani kemi prapë këtë dilemë; a duam normalizim të marrëdhënieve me Kosovën, a e duam jetësimin e Marrëveshjes së Brukselit apo Kushtetutën e vitit 1974, a e duam prapë jetën apo prapë vdekje. Miti i Kosovës duhet të ndahet nga jeta reale.
Indeksonline: Kur ju i referoheni Kosovës, cili është realiteti i juaj?
Vuk Drashkoviq: Statusi i Kosovës është i zgjidhur. Pavarësinë e Kosovës e njohin në këtë moment 110 shtete nga 193 anëtare të Kombeve të Bashkuara, 23 nga 28 anëtare të Bashkimit Evropian, kurse pasaportën e Republikës së Kosovës e njohin rreth 170 shtete të botës. Njohjet në të ardhmen vetëm sa do të rriten dhe më nuk do të zvogëlohen. Që do të thotë se shumica dominuese e shteteve në Kombet e Bashkuara edhe në Bashkimin Evropian e njohin pavarësinë e Kosovës. Në të njëjtën kohë, Kushtetuta e Serbisë në preambulën e saj thotë se Kosova është Krahinë Autonome në përbërje të Republikës së Serbisë.
Indeksonline: Kryeministri Vuçiq këto ditë qëndrojë në Tiranë, në vizitën kthyese të tij në Shqipëri, pas vizitës që i bëri Rama Serbisë vitin e kaluar. Si i vlerësoni këto vizita e takime të Vuçiqit me Ramën?
Vuk Drashkoviq: Shpresoj që në takimin Rama-Vuçiq, armiqësia e fryrë të kthehet në një miqësi. Asnjë armiqësi nuk është shëruar me armiqësi, por vetëm me miqësi. Unë isha ministri i parë i Punëve të Jashtme që ka shkuar në Tiranë në vitin 2005, dhe duhet të them se jam pritur shumë ngrohtësisht, jo me parada, por që ishte mirëseardhje e përzemërt edhe nga ana e ministrit të atëhershëm të jashtëm, Kastriot Islami, edhe nga ana e presidentit Alfred Moisiu, por edhe e kryeministrit Fatos Nano. Dhe kam pas një intervistë me rreth një orë e gjysmë drejtpërdrejt në televizionin kombëtar. Vet fakti që herën e parë kur ishte Rama në Beograd, është arritur marrëveshja që qytetarët e Serbisë dhe Shqipërisë të kenë mundësi udhëtimi në këto vende vetëm me letërnjoftime, është nisje e mbar. Mendoj që vizita e Vuçiçit në Tiranë është po e këtij drejtimi. Shqipëria po përjeton zhvillim ekonomik dhe në këtë është edhe shansi i ekonomisë tonë. Marrëdhëniet më të mira në mes të Shqipërisë dhe Serbisë janë në interes edhe të raporteve më të mira mes Kosovës dhe Serbisë, por edhe për bashkësinë tonë serbe në Kosovë. Armiqësia mes shqiptarëve dhe serbëve kurrë nuk mund të jetë në interes të serbëve që jetojnë në Kosovë, ose edhe të atyre që jetojnë në Shqipëri e edhe atyre shqiptarëve që jetojnë në Serbi.
Indeksonline: Cili është mendimi juaj për politikën e Kryeministrit Rama?
Vuk Drashkoviq: Sikur të informohesha nga disa tabloid serb për politikën e Ramës, atëherë do të duhej të pagëzohesha edhe me të djathtën edhe me të majtën. Por, unë atyre tabloidëve nuk u besojë, dhe kjo nga se në ato ka lajme të shëmtuara, imagjinata, sensacion, e të gjitha plasohen për të pasionuar lexuesin, sidomos lexuesin e varfër në Serbi që ta blejë gazetën. Gjithashtu, ngjarjet e shkatërrimit të Jugosllavisë nuk janë të vjetra, dhe ato lehtë fryhen si tema. Shto këtu edhe faktin se në ato gazeta janë të njëjtit njerëz që kanë shkruar gjatë viteve të ’90, duke nxitur urrejtjen dhe ata aspak nuk po dinë të gjenden në këtë kohë të re. Rama është një intelektual dhe pavarësisht disa deklaratave të tij, nuk dyshoj në qasjen e tij evropiane të Shqipërisë. Mu më vije mirë që kryeministri Rama e veçon si qëllim prioritar, normalizimin e përgjithshëm, miqësinë strategjike. Mendoj që miqësia strategjike mes Shqipërisë dhe Serbisë, vetëm mund të forcojë marrëdhëniet më të mira mes shqiptarëve e serbëve në vetë Kosovën sot.
Indeksonline: Kur thoni pavarësisht disa deklaratave të Ramës, çka nënkupton kjo?
Vuk Drashkoviq: Çfarë zhurme e bërtime ngritët këtu në Beograd, edhe në Prishtinë, edhe në Tiranë, edhe në Maqedoni rreth asaj se gjoja kërcënon rreziku i bashkimit shtetëror të Kosovës dhe Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë Perëndimore. Kurse në Dokumentin e Ahtisarit, të cilin Kosova e ka integruar në Kushtetutën e saj, pra ajo e ka pranuar atë, decidivisht është thënë se nuk ka bashkim të Kosovës me Shqipërinë e as bashkim të Kosovës me territore të shteteve fqinje. Pra, thjesht kjo është e ndaluar. Ëndrrat dhe imagjinatat janë të lejuara, por kjo çështje është e ndaluar dhe askush nuk thotë se nga kjo nuk ka asgjë.
Indeksonline: A i frikësoheni ju tregimit për Shqipërinë e Madhe?
Vuk Drashkoviq: Jo, nuk i frikësohem tregimit për Shqipërinë e Madhe. Atij tregimi duhet ti frikësohen vet shqiptarët, dhe kjo nga se Shqipëria e Madhe do të mund të kalonte siç ka kaluar Serbia e Madhe. Serbët e paguan tragjikisht planin për Serbinë e Madhe. Në Bashkimin Evropian dhe në Ballkanin e Evropianizuar ka vend mjaftueshëm edhe për Shqipërinë e Madhe, edhe për Serbinë e Madhe, edhe për Kroacinë e Madhe, edhe për Bosnjën e Madhe.
Indeksonline: Pasi e thoni këtë do të doja të di. Në vizionin tuaj, ku është zgjidhja më e mirë për vendet e Ballkanit?
Vuk Drashkoviq: Në Bruksel. Këtë dua ta shpjegojë kështu. Në Bruksel flitet një gjuhë tjetër, ndërsa në aeroportin e Brukselit flitet një tjetër gjuhë, dhe nuk duket se ata rrihen mes veti, nuk duket se ata urrehen mes veti, nuk duket që ata mbaruan ekonomikisht dhe kjo asgjë nuk u pengon që bash në atë Bruksel, të jetë qendra e Evropës së Bashkuar. Ne tani jetojmë në një kohë kur nuk guxojmë të jemi mësues të vetës tonë, nga se ne jemi mësues të dobët, por na duhen mësues nga Evropa nëse veç duam të shkojmë në Evropë. Unë mendoj që Bashkimi Evropian frikësohet nga ne, jemi një breng e madhe dhe ëndërr aspak e qetë e Bashkimit Evropian. Kufijtë lindor të BE-se janë të caktuar dhe ne jemi në stomak të Evropës, e nuk jemi në Evropë. Njëkohësisht bëjmë pjesë në popujt më të talentuar për shkatërrime, dhe qëllimi strategjik i Evropës është që Ballkani mos ta ballkanizojë Evropën. Ka shumë rajone në vetë Evropën që anojnë nga ndarjet, rritet numri i Euroskeptikve, dhe konsideroj që BE, do të përballet me reforma serioze brenda saj. Ndoshta do të organizohet, figurativisht thënë, që ti ngjaj një aeroplani me ndarje si: klasa e parë, klasa e biznesit, klasa ekonomike dhe është e sigurt që të gjithë ne në Ballkanin Perëndimor, – në të cilin përfshihen të gjitha vendet e ish-Jugosllavisë minus Sllovenia plus Shqipëria – jemi në tentimin e fundit për të hyrë në atë aeroplan, dhe ne nuk kemi aeroplan apo tren tjetër për të udhëtuar. Ne nuk kemi krah të fluturojmë në Rusi, apo disa ëndërrojnë të fluturojnë në Stamboll, e disa të tjerë në Amerikë. Ne jemi këtu ku jemi dhe kjo është konstanta e përjetshme. Serbët dhe Shqiptarët mos të tërhiqen nga simbolet historike. Është e vërtet, dikur kryeqendra e Shqipërisë ishte Shkupi, e më pastaj për katër shekuj kryeqendra edhe serbëve edhe shqiptarëve ishte Stambolli. Kemi jetuar në një shtet. Pastaj u gjetëm nën Jugosllavi, e cila u shkatërrua, ndërsa sot shkojmë nën kulmin e një civilizimi specifik, të ri, i cila quhet Bashkimi Evropian. Asgjë nuk është e përjetshme përveç serbëve dhe shqiptarëve. Çdo gjë do të ndërrohet, kurse ne do të jemi këtu ku jemi, dhe bash për këtë, ne duhet të rregullojmë raportet mes nesh. Dhe kjo marrëdhënie të vije në një nivel, pavarësisht çka do të ndodh për njëqind vjet, njëmijë vjet e shkuj të tërë në ndonjë konstelacion tjetër strategjik e gjeostrategjik këtu në Ballkan.
Indeksonline: Për fund si do ti përshkruani raportet shqiptaro-serbe në gjithë Ballkanin?
Vuk Drashkoviq: Vet fjala Ballkan na përshkruan më së miri. Nëse e ndani në Ball dhe Kan, e kemi domethënien Mjaltë dhe Gjak. Nganjëherë jemi mjaltë e nga një herë gjak, edhe në histori përafërsisht rreth pesëdhjetë vjet kemi qenë mjaltë, jemi përvllaznu, jemi shoqëruar e më pastaj rreth tre vjet mes vet jemi vrarë, ndërsa pas kësaj na është dashur gjysmë shekulli të japim e kërkojmë falje. Këto cikle vazhdimisht kanë qenë të tilla, kurse tani, jemi në një kohë të re që një pjesë e emrit Ballkan të largohet. Në përgjithësi raportet shqiptaro-serbe do ti shpjegoja me moton e lojës së shahut ‘Gens Una Sumus”. /Indeksonline/