Douglas Costa i kërkon falje klubit dhe tifozëve të tij pas gjesteve të turpshme, por jo edhe lojtarit të Sassuolos

E publikuar: 16/09/2018 20:57
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Douglas Costa ka shkruar një letër publike ku kërkon falje nga tifozët e Juventusit pasi u dërgua jashtë me karton të kuq pasi goditi me bërryl, kokë dhe e pështyu Federico Di Francescon e Sassuolos.

Incidenti i yllit të Juventusit u kap nga kamerat dhe kabina e VAR-it sinjalizoi gjyqtarin kryesor për gjestet jo-sportive të brazilianit dhe njoftoi se ai duhet të largohet jashtë.

Këto gjeste kanë të ngjarë ta lënë Costan jashtë fushave të paktën tre ndeshje, nëse jo më shumë, pasi ai gjithashtu dha një bërryl në lojtarin e njëjtë dhe u përpoq ta godiste fortë me kokë atë para se ta pështyj në fund.

Megjithatë, braziliani ka pranuar shpejt fajin dhe është penduar pas gjesteve të bëra dhe nuk ka vonuar shumë duke kërkuar falje me anë të një postimi për tifozët dhe klubin e tij, por jo edhe për kundërshtarin me të cilin e pati incidentin.

“Dua t’u kërkoj falje të gjithë tifozëve të Juventusit për këtë reagim të madh që kisha gjatë ndeshjes së sotme”, shkroi fillimisht Costa në Instagram.

“Gjithashtu u kërkoj falje bashkëlojtarëve të mi, të cilët gjithmonë janë pranë meje, në kohë të mira dhe të këqija”.

“Ishte e shëmtuar, unë e di këtë dhe kërkoj falje për të gjithë për këtë”.

“Dua të bëj të qartë se kjo sjellje e izoluar nuk ka të bëjë me atë që kam treguar gjatë gjithë karrierës sime”, përfundoi braziliani.

Në anën tjetër, trajneri i Juventusit, Max Allegri, konfirmoi se lojtari me shumë mundësi do të gjobitet nga klubi. /Telegrafi/