Dortmundi prezanton trajnerin e ri, Thomas Tuchel

E publikuar: 03/06/2015 17:24
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Thomas Tuchel u prezantua zyrtarisht si trajneri i ri Borussias së Dortmundit. Në një konferencë për shtyp ku ishin të pranishëm edhe shefi ekzekutiv Hans-Joachim Watzke dhe drejtori sportiv Michael Zorc, Tuchel foli për herë të parë si verdhezi. 41-vjecari gjerman pason në këtë detyrë Jurgen Klopp i cili i dha lamtumirën Dortmundit pas 7 vjetësh gjatë të cilëve përjetoi suksese të shumta. Ashtu si Klopp edhe Tuchel përpara se të merrte drejtimin e Borussias ishte trajneri i Mainzit për një periudhë disa-vjecare.

” Jam shumë i lumtur që nga tani e më pas do të jem unë trajneri i Borussias së Dortmundit. Tashmë mund ta them me plot gojën se kam realizuar një dëshirë shumë të madhe që ekzistonte brenda meje pikërisht ajo e marrjes së drejtimit të një klubi të madh si Dortmundi. Për mua kjo është një sfidë shumë e madhe, pasi te Borussia është një klub që lufton për të fituar trofe. Mezi po pres momentin për të filluar punën. Deri ku mund të arrijë skuadra në sezonin e ri? Është ende herët për të folur. Rival nuk kemi vetëm Bayernin e Mynihut sepse edhe Wolfsburgu, Gladbahu dhe Leverkuseni janë forcuar shumë gjatë vitit të fundit”.

Në vijim të fjalës së tij Tuchel falenderoi drejtuesit e Dormtundit që i dhanë mundësinë për të drejtuar verdhezinjtë, ndërkohë që u shpreh me superlativa për trajnerin parardhës Jurgen Klopp.

” Dua ti falenderoj të gjithë për këtë mundësi që më dhanë përfshirë këtu edhe Jurgen Kloppin. Ai ka kaluar këtu 7 vite të jashtëzakonshme gjatë të cilave përjetoi suksese të shumta. Synimi është ta coj skuadrën në të njëjtin nivel ku e coi Klopp. Jurgen ka ndërtuar një ekip të madh, dhe nga bazat që ka lënë do të nisim një projekt të ri”.