Dortmund e Bremen, në gjysmëfinalen e Gjermanisë

E publikuar: 09/02/2016 23:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Dy fitore 1-3 në transfertë për kualifikimin e Borusias së Dortmundit dhe Werder Bremen që bëhen dy gjysmëfinalistet e para të Kupës së Gjermanisë.

Verdhezinjtë e Thomas Tuchel prenë biletën pasi u imponuan në “Mercedes Benz Arena” përballë Stuttgart. Verdhezinjtë kaluan shumë shpejt në avantazh që në minutën e 5-të falë Marco Reus, por vendasit nuk u dorëzuan dhe risollën gjithçka nga e para në minutën e 21-të falë golit të Lucas Rupp. Gjithsesi ekuilibri zgjati vetëm 10 minuta, pasi Aubameyang bëri atë që di të bëjë më mirë sapo u mbush gjysmë ore lojë duke shënuar golin e 1-2. Dortmundi pavarësisht avantazhit mbeti në kërkim të golit të knock outit që e gjeti në minutën e fundit të kohës së rregullt kur Aubameyang bëri gjithçka mirë nga e majta për t’i dhënë asistin e një goli të lehtë Mkhitarian, që vulosi shifrat në 1-3 me Dortmundin që tani pret të njohë kundërshtarin që do t’i rezervojë shorti të Enjten.

Ndërkohë, Werder Bremen u kualifikua në gjysmëfinale e Kupës së Gjermanisë falë suksesit 1-3 në fushën e Bayer Leverkusen, në një ndeshje me nuanca të ndjeshme amerikano-latine me tre golat e parë të shënuar nga lojtarë nga përtej Atlantikut. Të zotët e shtëpisë u dukën në rrugën e duhur për fitoren, kur ylli meksikan Javier “Chicharito” Hernandez shënoi nga pika e bardhë e 11 metërshit në minutën e 22-të, gjithsesi pas vetëm 9 minutash Werder Bremen risolli ekuilibrin, me mbrojtësin argjentinas Santiago Garcia. Mbrëmja e Leverkusen u bë e hidhur para pushimit me mbrojtësin brazilian Wendell që u dërgua jashtë loje për një faull ndaj Fin Bartels, duke i lejuar sulmuesit peruan Claudio Pizarro të conte Werderin në avantazh në penalltinë pasardhëse. Të zotët e shtëpisë u hodhën përpara në kërkim të barazimit në pjesën e dytë por Bremen shënoi dhe golin e tretë me mesfushorin austriak Florian Grillitsch për të siguruar një vend mes katër më të mirave të Kupës.