Dorëhiqet ministri francez për reformën e pensioneve

E publikuar: 16/12/2019 22:10
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri francez për reformën e pensioneve dha dorëheqjen, në një lëvizje që konsiderohet si goditje e fortë për presidentin Emmanuel Macron.

Jean-Paul Delevoye, Komisioneri i Lartë për Pensionet, ishte një prej aleatëve kyçë dhe personave më të besuar të shefit të Elizesë, ndërsa shihej si dhe si një nga ata pak anëtaret me përvojë të kabinetit të tij. Dorëheqja vjen në mesin e aksionit masiv të sindikatave në Francë, ku kjo e sotmja shënoi ditën e 12-të të greve, ndërkohë që planifikohen edhe protesta të tjera në rrugë kundër ndryshimeve në sistemin e pensioneve.

Delevoye u largua pasi nuk kishte deklaruar publikisht postet e tjera të shumta që mbante përveç punës në kabinet. Dorëheqja e tij, vjen në një moment kyç për Macron, qeveria e të cilit është e bllokuar në një konfrontim me sindikatat lidhur me planet për rregullimin e sistemit të pensioneve, që do të ndihmonte në uljen e deficitit kronik të vendit. Sindikatat duken të vendosura t’i përshkallëzojnë protestat nëse qeveria nuk e tërheq reformën.

Pjesa më e madhe e rrjetit hekurudhor të Francës mbeti sot e bllokuar ndërsa kaosi i trafikut vazhdon në të gjithë vendin. qeveria franceze u pajtua pak ditë më parë me zbutjen e reformës, duke e lënë në fuqi moshën ligjore të pensionit, 62 vjeç, por thotë se punëtoret pensionin e plotë do ta marrin 64 vjeç. Sindikatat nuk u pajtuan me planet e reja dhe bënë thirrje që greva të ashpërsohet.