Donika Gërvalla, për “burrecat”: Jahjaga dha përgjigje të padenja, njëjtë si intervistat e Thaçit!

E publikuar: 25/07/2015 18:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Zyrtarja e LDK-së në Gjermani, Donika Gërvalla, ka thënë se presidentja Atifete Jahjaga ka dhënë përgjigje të padenja për ZDF, njëjtë si Hashim Thaçi më parë. Por, sipas saj “burrecat” nuk kanë guxuar të reagojnë për Thaçin.
“Qenkan çuar peshë burrat shqiptarë dhe nuk po lënë gur pa hedhur mbi Presidenten Jahjaga, sepse kjo e fundit na paska dhënë një intervistë të dobët për ZDF-in.

E vërtetë, edhe pa ndërhyrjet e gazetares, përgjigjet ishin sipërfaqësore dhe aspak të denja për të sqaruar shkaqet e ikjes masive të shqiptarëve nga Kosova.

Por, edhe më e vërtetë është se aspak më të mira nuk kanë qenë asnjëherë, për asnjë medium shqiptar apo të huaj, intervistat e Hashim Thaçit. Jo vetëm të dobëta, por madje edhe të neveritshme, të mbushura me gënjeshtra.

Ku mbetën reagimet tuaja, o burrat e fortë të Kosovës? Të hedhësh baltë mbi presidenten Jahjaga është e lehtë, sepse përveç fjalës – edhe pse shpesh të zgjedhur keq dhe jo të qëlluar – ajo nuk ka armë tjetër për t’u mbrojtur. E tek Hashim Thaçi me shokë e dini mirë pse nuk reagoni.

Epo ç’vend burrecash paskemi qenë”, ka shkruar ajo në profilin e saj në Facebook. /Telegrafi/