Donald Lu me të rinjtë: Nëse qeveria nuk ju përgjigjet, rrëzojeni

E publikuar: 30/09/2017 21:21
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Takimi i ambasadorit Donald Lu me të rinjtë e Rrëshenit u zhvillua larg kamerave, por mesazhi i tij u përhap nëpërmjet rrjeteve sociale.

“Ky është mësazhi ynë i thjeshtë: Ndryshime të mëdha po vjnë në Shqipëri. Ju keni një rol të rëndësishëm për të ardhmen e Shqipërisë. Ju duhet të kërkoni ndryshimin nga udhëheqësit tuaj”, deklaroi Lu.

Me besimin se Shqipëria do të jetë anëtare e Bashkimit Europian dekadën e ardhshme, ambasadori amerikan i nxiti të rinjtë të kërkojnë dhe të arrijnë një ndryshim edhe më të madh se ai që kanë jetuar prindërit e tyre me anëtarësimin në NATO, liberalizimin e vizave, dekriminalizimin e Parlamentit dhe reformën në drejtësi.

“Ju (të rinjtë) do të më thoni se ajo që duam është arsimimi. Ne duam punë. Ne duam atë që shohim çdo ditë në televizion nga Mbretëia e Bashkuar, nga Gjermania apo Shtetet e Bashkuara. A e dini sesi do t’i merrni të gjtha këto? Ju duhet t’i kërkoni ato. Ju kërkoni punë, siç i kanë ata në Gjermani. Ju prisni ligje kundër korrupsionit, siç i kanë ata në Mbretërinë e Bashkuar. Dhe ju këmbënbgulni për liritë personale siç i kanë ata në Shtetet e Bashkuara. Ju jetoni në demokraci. Nëse ju i kërkoni, qeveria duhet të përgjigjet! Ose ju do ta rrëzoni atë”, theksoi Lu.

Shembulli që dha ambasadori përpara të rinjve në Rrëshen ishte për librat shkollorë, duke inkurajuar të rinjtë t’i kërkojnë llogari qeverisë.

“Në fillim të vitit shkollor, shumë njerëz, përfshirë edhe opozitën, kërkuan libra falas për nxënësit. Ky është një vend i vogël, nuk është një vend i pasur. Por është e arsyeshme që qytetarët t’i kërkojnë qeverisë të sigurojë para për të blerë librat për nxënësit. Dhe kur qeveria t’ju thotë se nuk e përballon dot këtë, ju duhet ta pyesni se me çfarë parash po paguajnë për godinat e zbukuruara qeveritare, për makinat e tyre luksoze dhe për udhëtimet jashtë vendit”, tha Lu.

Pas Rrëshenit, ambasadori Lu do të japë mesazhe të tjera në qytete të ndryshme të vendit, në takime me të rinjtë me bindjen se ata janë një brez më i mirë se ky aktuali për të udhëhequr Shqipërinë drejt së ardhmes europiane.