Dokumenti “bombë” i Metës nga SHISH, Deputeti: Material shumë i dobët për të qenë sekret

E publikuar: 22/11/2019 16:03
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Vetëm anëtarët me certifikatë sigurie të Komisionit Hetimor Parlamentar që po heton presidentin Ilir Meta lexuan sot një dokument sekret të SHISH.

Ky dokument u administrua nga Komisioni, pasi presidenti Ilir Meta në dëshminë e tij tha se pikërisht ky informacion sekret ishte një prej tre arsyejeve të zhdekretimit të datës së zgjedhjeve të 30 qershorit.

Njëri prej deputetëve anëtar të këtij komisioni në kushtet e anonimatit i tha gazetarit të Top Channel Muhamed Veliu se “ishte një informacion shumë i dobët për t’u klasifikuar sekret, dhe një arsye aspak madhore për të justifikuar vendimin e presidentit për të zhdekretuar datën e zgjedhjeve më 30 qershor”.

Ky ishte komenti i parë nga një prej deputetëve që e ka lexuar letrën sekrete të SHISH.

Top Channel me 18 Shtator 2019 duke iu referuar dy burimeve të pavarura në dijeni të përmbajtjes së këtij dokumenti raportoi se bëhet fjalë për një informacion të përmbledhur në pak rreshta nga ku SHISH informon, se agjentët e infiltruar brenda strukturave organizative të protestave të opozitës, kanë mundur të sigurojnë informacionin se në protestën e 8 qershorit, do të përfshihej një grup paramilitar i ardhur nga Kosova apo trevat e tjera etnike shqiptare.

Ky grup në përbërje të tij kishte njerëz me formim ushtarak, me misionin final, djegien e Kuvendit të Shqipërisë.