DOKUMENT – Agjencia e Akreditimit kërkon rikthimin në EQAR, por nuk bën ankesë

E publikuar: 22/05/2018 16:23
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Agjencia e Kosovës për Akreditim po kërkon rikthimin e saj në Regjistrin Europian të Sigurimit të Cilësisë për Arsimin e Lartë (EQAR), e cila më 28 shkurt 2018, kishte marrë vendim për përjashtim të AKA-së nga kjo organizatë ndërkombëtare.

Por, Agjencia për Akreditim në anën tjetër ka hequr dorë nga ankesa e saj për përjashtim nga EQAR-i e cila ishte thënë nga ministri i Arsimit se do të bëhet në afat prej 90 ditësh që nga koha e vendimit.

Përjashtimi i AKA-së nga organizata EQAR ishte bërë për shkak të shkarkimit të bordit të kësaj agjencie që drejtohej nga Blerim Rexha pas kërkesës të Kryeministrit, Ramush Haradinaj.

KALLXO.com ka siguruar një dokument i cili është nënshkruar nga ushtruesi i detyrës së AKA-së, Bekim Samadraxha, me të cilin dokument ky institucion ka kërkuar vlerësim për rikthimin e Agjencisë në EQAR.

Kërkesa për vlerësim që i është dorëzuar presidentit të EQAR-it është dërguar më 16 maj 2018 në të cilën thuhet se Agjencia e Kosovës për Akreditim ka bërë një progres të jashtëzakonshëm që nga përjashtimi i saj.

“Ne e konsiderojmë që AKA ka bërë një progres të jashtëzakonshëm në një periudhë relativisht të shkurtër me qëllimin parësor që të përmirësojë punën e saj dhe të forcojë reputacionin. Pas rishikimit të kuadrit ligjor dhe hartimit të Udhëzuesit të ri Administrativ, Agjencia Kosovare e Akreditimit konsiderohet të jetë në përputhje të plotë me statutin e EQAR, prandaj kërkojmë t’i nënshtrohemi vlerësimit të ekspertëve të EQAR”, thuhet në kërkesën për vlerësim të AKA-së.

Në këtë kërkesë thuhet se si rezultat i zhvillimeve të fundit dhe përjashtimit të AKA-së nga organizata ndërkombëtare EQAR, ministri i Arsimit ka ndërmarrë disa masa.

“Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka hartuar tashmë një Udhëzim Administrativ të ri i cili përcakton kriteret mbi zgjedhjen e anëtarëve të rinj të bordit. Udhëzimi i ri Administrativ fokusohet në dy elemente: 1. Pavarësinë e agjencisë, 2. Krijimin e mundësisë që anëtarët e bordit të jenë profesionistë në fushën e arsimit”, thuhet në kërkesë.

Si rezultat dhe progres i AKA-së në këtë kërkesë vihet në theks edhe funksionalizimi i Këshillit Shtetëror të Cilësisë.

“Bordi i ri është zgjedhur dhe është vënë tërësisht në funksion. Bordi i ri i krijuar është shumë i përkushtuar për të vazhduar punën mirë dhe një sërë hapash janë bërë për përmirësimin e kuadrit ligjor, duke përfshirë përshtatjen e ESG në politikat e brendshme. Si rezultat AKA ka nisur tashmë rishikimin e standardeve dhe udhëzimeve të veta në përputhje të plotë me ESG”, thuhet në kërkesën e AKA-së.

Agjencia e Kosovës për Akreditim shpreson që kërkesa e saj drejtuar në EQAR do të adresohet sa më parë.

“Mbesim me shpresën që kërkesa jonë të adresohet sa më shpejt të jetë e mundur në mënyrë që AKA të rikthejë anëtarësinë e saj në EQAR, që do ishte me vlerë për studentët kosovarë dhe sistemit të arsimit të lartë në përgjithësi”, thuhet kërkesën e AKA-së drejtuar EQAR-it.

Në këtë kërkesë thuhet se Agjencia Kosovare e Akreditimit është një institucion publik që vepron si rregullator shtetëror i arsimit të lartë në Republikën e Kosovës.

“Si autoriteti kryesor në arsimin e lartë AKA ka treguar gjithnjë përkushtim në zbatimin e standardeve më të larta të cilat sigurojnë që jo vetëm institucionet dhe programet e arsimit të lartë janë të akredituara, por gjithashtu siguron që këta programe përmbushin kriteret dhe standardet në përputhje të plotë me ESG”, thuhet në kërkesë.

Sipas kërkesës, rëndësi e madhe në reputacionin e agjencisë kishte anëtarësia e saj në organizatat europiane, veçanërisht në Regjistrin Europian të Sigurimit të Cilësisë për Arsimin e Lartë (EQAR).

“Ne në AKA jemi plotësisht në dijeni dhe e vlerësojmë mbështetjen e jashtëzakonshme të ofruar nga EQAR dhe ENQA në procesin e rivendosjes së autonomisë së plotë të AKA-së”, është thënë në kërkesën e AKA-së.

KALLXO.com ka kontaktuar ushtruesin e detyrës së Agjencisë së Kosovës për Akreditim, Bekim Samadrexha, por nuk ka marrë asnjë përgjigje në lidhje me kërkesën për vlerësim nga organizata ndërkombëtare EQAR.