Dodik: Nuk e kam thirrur Thaçin si president të Kosovës

E publikuar: 24/06/2019 23:03
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti i Bosnje e Hercegovinës, Milorad Dodik i ka dërguar ftesë presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçit për të marrë pjesë në Samitin e Banja Llukës.

Por, ai sot deklaroi para medieve se kjo ftesë nuk i ishte dedikuar Thaçit si President i Republikës së Kosovës.

Dodik tha se Hashim Thaçi mund të marrë pjesë si përfaqësues i Prishtinës në këtë Samit, pra me fusnotë, ashtu siç edhe e pranojnë shtetet të cilat nuk e kanë njohur Kosovën shtet të pavarur.

“Nëse do të vijë si Prishtinë dhe nën fusnotë, le të vijë. Nëse kjo nuk është problem për të, pse duhet të jetë për ne”, u shpreh Dodik para gazetarëve.

Por, ai shoi se të gjithë të ftuarit e tjerë janë thirrur si krerët e shtetit, transmeton Periskopi.

“E kam bërë shumë të qartë qëndrimin tim për Thaçin dhe ai ka për ta kuptuar se Kosova është pjesë e integruar e Serbisë. Nëse pajtohet të vij me fusnotë, atëherë lë ta bëj”, u shpreh Dodik.

Nga kabineti i Dodik më parë shpjeguan se pjesëmarrja e Kosovës në SEECP u zgjidh në vitin 2014 me pëlqimin e të gjithë pjesëmarrësve që nuk e njohin Kosovën: Serbia, Greqia, Rumania, Moldavia dhe Bosnje Hercegovina.

Sipas kësaj zgjidhjeje, Kosova heq dorë nga prezantimi si shtet të pavarur dhe pranon të hyjë në SEECP me një fusnotë.

E njëjta gjë pranohet nga të gjithë pjesëmarrësit e tjerë të SEECP të cilat nuk e njohin Kosovën si shtet.