Dodik nga parlamenti i Republikës Serbe: Lamtumirë Bosnje

E publikuar: 17/02/2020 18:52
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Anëtarët e Kuvendit të Republikës Serbe në Bosnje dhe Hercegovinë po diskutojnë në një seancë të jashtëzakonshme në Banja Llukë në lidhje me, siç është thënë, “vendimin anti-Dejton të Gjykatës Kushtetuese të Bosnje dhe Hercegovinës”.

Gjatë seancës së jashtëzakonshme të parlamentit, kreu i Unionit të Social Demokratëve të Pavarur (SNSD), Millorad Dodik, e filloi fjalimin me fjalinë “Mirupafshim Bosnje dhe Hercegovinë, mirë se vjen dalje e Republikës Serbe”, duke aluduar në daljen e mundshme të Republikës Serbe nga Bosnje dhe Hercegovina.

Dodik deklaroi se Gjykata Kushtetuese transferoi pronën në Bosnje dhe Hercegovinë, së cilës nuk i përket, dhe se disa, përfshirë edhe atë, ishin naivë kur menduan se boshnjakët do të ndalonin të shfuqizonin simbolet e Republikës Serbe.

“Ajo që nuk shkon mirë me Dejtonin duhet të jetë në harmoni me Dejtonin. Falënderoj të gjithë kolegët e mi dhe përfaqësuesit e partive politike për punën e tyre të përkushtuar këto ditë për ardhjen në konkluzione të përbashkëta. Unë jam i inkurajuar nga ky fakt”, tha Dodik.

Si filloi kriza e re politike në Bosnje?

Përfaqësuesit e Republikës Serbe në institucionet e Bosnje dhe Hercegovinës, më 12 shkurt, vendosën të pezullojnë punën e tyre në të gjitha organet nën juridiksionin e autoriteteve të Bosnje dhe Hercegovinës, në pritje të miratimit të një ligji të ri për Gjykatën Kushtetuese të Bosnje dhe Hercegovinës.

Gjykata Kushtetuese përbëhet nga nëntë anëtarë, tre prej të cilëve zgjidhen nga Kryetari i Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut pas konsultimit me presidencën e Bosnje dhe Hercegovinës.

Këta tre gjyqtarë nuk mund të jenë shtetas të Bosnjës ose të ndonjë shteti fqinj.

Arsyeja e këtij vendimi, për të pezulluar punën dhe për të thirrur një seancë të veçantë të Kuvendit të Republikës Serbe është vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës, e cila i shpalli antikushtetuese pjesët e Ligjit për tokën bujqësore të Republikës Serbe.

Me këtë vendim, toka bujqësore në Republikën Serbe konsiderohet pronë e Bosnje dhe Hercegovinës, dhe jo e këtij entiteti.

Gjykata Kushtetuese e shpalli vendimin e saj pas apelit të shtatë delegatëve – boshnjakë dhe kroatë – të parlamentit qendror të Bosnje dhe Hercegovinës.

Çfarë thonë përfaqësuesit ndërkombëtarë?

Lidhur me krizën më të re politike, ambasadori i BE-së në Bosnje dhe Herzegovinë, Johann Sattlera, bëri thirrje që politikanët të përmbahen nga aktivitetet përçarëse.

Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, në lidhje me vendimin e përfaqësuesve të Republikës Serbe për të pezulluar punën brenda organeve nën juridiksionin e autoriteteve të Bosnjës, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Sarajevë tha se vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë përfundimtare dhe duhet të respektohen nga të gjitha palët.

Përfaqësuesi i Lartë për Bosnjë dhe Hercegovinën, Valentin Inzko, tha se “çdo veprim që do të paralizonte institucionet e Bosnje dhe Hercegovinës dhe do të parandalonte punën e tyre do të ishte një hap i madh në drejtim të gabuar”.