Djaloshi tre vjeçar i mbytur në ujë, s’kishte ku të varrosej në Skenderaj

E publikuar: 10/03/2016 08:25
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Tragjedia që ka goditur familjen e Njazi Morinës, të martën, kur nipi i tij, Entoni 3 vjeç u mbyt në ujërat e ftohta të lumit Klina, ka shkaktuar dhembje të madhe në gjithë Drenicën. Me ta marrë lajmi se ishte gjetur trupi i pajetë i tij, njerëz nga anë të ndryshme kanë shkuar për ta ngushëlluar familjen Morina.
Por dhembja e madhe në familjen Morina në Skenderaj, për shkak të mbytjes në ujë të fëmijës 3-vjeçar, Entonit, të martën në orët e pasdites, është shtuar edhe më shumë, pasi që ata kanë hasur në vështirësi për ta varrosur më të dashurin e tyre, pasi që Skenderaj është qyteti i vetëm në Kosovë që nuk ka varreza, kështu që varrimi i tij është bërë në Lipjan, prej nga e ka prejardhjen familja Morina. Babai i Entonit, Ekremi, përpiqej të mbahej i fortë, por dhembja e madhe dhe hutimi kishin bërë që ai të mos lejonte të bëhen as fotografi të djalit të tij. “O ju lutëm kemi dhembje, largonu”, u thoshte ai gazetarëve. Ndërkaq, Luan Morina, vëllai më i madh i Njaziut, nipi i të cilit u mbyt në lumë, ka treguar për ngjarjen e dhembshme.