Djali i Ramiz Hoxhës: Limaj ishte te vendi i vrasjes dhe pa kufomën (Video)

E publikuar: 29/10/2016 00:32
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Fadil Hoxha, djali i Ramiz Hoxhës, për vrasjen e të cilit sot Fatmir Limajt i ka shkuar një aktakuzë, ka treguar në një paraqitje televizive për ditën e vrasjes së babait, 2 nëntor 1998.

“Ai ka shkuar ditën e xhumasë për t’u falur në xhami. Në Bellanicë kanë qenë diku rreth 200 veta duke u falur. Pak para se të kryhej ceremonia, kanë ardhur katër persona me maska dhe kanë zënë derën e xhamisë. Në pikë të ditës, ora 13:00. I pari del te dera axha im dhe ata i thonë që kthehu ti se ne po kërkojmë Mulla Imerin, imamin e xhamisë. I dyti del babai im, Ramiz Hoxha, përsëri i thonë edhe atij fjalët e njëjta. Bëhet një rrëmujë aty. Ata ishin me uniforma të UÇK-së”, ka rrëfyer Fadil Hoxha në ‘Interaktiv’ të KTV’së atë që i kanë treguar dëshmitarët.

Ai më tej tregon se Ramiz Hoxha ka thënë se duhet qetësua gjakrat dhe i ka ftuar që të shkojnë në odën e tij, ku do ta takonin edhe hoxhën.

“Në atë moment fillojnë bisedat e vrazhda. Njëri hedh bombë ndër makinë të tyre, por bomba nuk eksplodon, e prej mllefit ata binë dakord që të shkojnë në odë bashkë, baba, axha dhe një kushëri. Kanë hyp në kerr pa dhunë pa asgjë. Shtëpia ka qenë 300 metra larg. Në vend se të ndalen te shtëpia jonë, ata kanë vazhduar rrugës teposhtë në ndalje të fshatit”, ka treguar Fadil Hoxha.

Kur kishin vazhduar me makinë teposhtë, atëherë ata kishin filluar të shkrepnin armët në ajër dhe para daljes së fshatit i zbresin kushërinin dhe axhën, duke u thënë se kanë për të treguar diçka për hoxhën.

“Ata zbresin dhe makina nuk shkon në të majtë kah Temeçina, por në të djathtë kah Baja. Kur merr vesh vëllau u shkon mbrapa me makinë dhe me armë me vete. Pas një kilometre e kanë parë Fatmir Limajn në rrugë dhe kanë biseduar me të. E ka pyetur vëllau dhe ai ka thënë se nuk e di. Rrugën e kanë vazhduar për në Kravasari, e aty e kanë parë babën dhe një person tjetër të vrarë”, ka treguar Fadil Hoxha, transmeton koha.net

Pas vrasjes së Ramiz Hoxhës dhe Selman Binishit, Enver Hoxha, djali i Ramizit ka shkuar aty me një kushëri dhe ia ka lënë një automatik kushëririt që t’i ruaj kufomat derisa ky të shkojë në shtëpi për t’ua dhënë lajmin.

“Aty më pas ka shkuar Fatmir Limaj me një person tjetër dhe i ka marrë armën kushëririt. Ai e dinë vet dhe i ka parë kufomat”, ka thënë Fadil Hoxha.

Prej aty Limaj, sipas Fadil Hoxhës, është larguar pa asnjë fjalë dhe kurrë më nuk është paraqitur te kjo familje, që të paktën të tregonte se si dhe pse ndodhi.