Djali i Haki Imerit: Babanë e vranë skuadra e SHIK’ut, përgjegjës Thaçi e Veseli

E publikuar: 02/11/2019 17:07
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kastriot Imeri, djali i aktivistit të vrarë Haki Imerit, ka lëshuar akuza se babanë e tij e likuiduan anëtarët e skuadrës vrasëse të Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK).

Këtë akuza e ka bërë në përvjetorin e 20 të vrasjes së mësuesit Haki Imeri, i cili ishte zyrtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Sot bëhen 20 vite nga vrasja e parë politike në Kosovën e pas luftës! Kidnapohet me nje veture te zeze ne fshatin Buroje qe ishte ne pronesi te nje organizate kriminale . Haki Imeri, kryetar i LDK-së në bashkësinë e Turiçevcit dhe anëtar i kryesisë së degës së kësaj partie në Skenderaj ekzekutohet po te njejten dite ne fshatin Aqareve”, ka shpjeguar Kastrot Imeri.

Djali i Haki Imerit e ka bërë përgjegjës Kadri Veselin dhe Hashim Thaçin për vrasjen e babait të tij.

“Motivi i vrasjes është politik, urdhërdhënësit jane tashme te njohur , ndërsa vrasësit janë anëtarë të Skuadrës Vrasëse të SHIK-ut. Organizimi i kësaj vrasje politike ndërlidhet në mënyrë direkte me kreun e PDK-së dhe të tjerëve pranë tij, këtu nuk kemi dyshime as dilema”, ka shkruar ai.

“Përgjigjen për këtë e prisnim nga organet kompetente sepse ato e kishin mandatin të jepnin përgjigje në një pyetje të tillë edhe pse nuk na mungonte njohuria në lidhje me këtë krim të llahtarshëm, i cili është bërë nga SHIK-u, shërbim i cili është krijuar nga Qeveria e Përkohshme e Kosovës, të cilën e drejtonte si në aspektin politik edhe të nëntokës, Hashim Thaçi”, ka shtuar ai.

Rastet e vrasjeve në luftë dhe pasluftës janë duke u trajtuar edhe nga Gjykata Speciale. Pikërisht te kjo gjykatë i kanë shpresat familjarët e aktivistit të vrarë të LDK’së.

“Vrasja ndodhi në mandatin e Qeverisë së Përkohshme të Hashim Thaçit, dhe fati jonë i vetem është që këtë mandat kriminal e kap , mandati i Gjykatës Speciale, dhe shpresojmë në rezultate për të sjellë drejtësinë e anashkaluar, manipuluar dhe mbuluar, që për qëllim e kish te mos të ndriçohej e vërteta, sepse e vërteta u vë pranga krerëve të mafias politike, të cilët së shpejti mund të akuzohen për krime ndaj shqiptarëve nga Dhomat e Specializuara të Prokurorisë me seli në Hagë”, ka shkruar Kastriot Imeri.

Kastriot Imeri thotë se po presin drejtësi qe dy dekada.

“Kaluan shpejt 20 vite, por malli dhe dhembja janë të freskëta për Hakinë tonë, ndërsa situata jonë shpirtërore bëhet edhe më e vështirë sepse drejtësia nuk e tha akoma fjalën e saj tash e 20 vite”, ka shtuar ai.

“Shumë dosje të vrasjeve politike dhe të krimit të organizuar u trajtuan, por nuk dhanë rezultate sepse zbulimet e vrasjeve çonin në luftë kundër urdhërdhënësve, pra i dërgonte në adresa të krerëve të partive politike, që dikur ishin bashkëpunëtorë të UDB-ës e më vonë anëtar të PDK-ës dhe SHIK-ut”.

Hashim Thaçi e ka shpallur hero të Kosovës Haki Imerin.

Por djali i tij ka një tjetër rrëfim për raportet e familjes Imeri me Presidentin.

“Me datën 22 nëntor 2016 erdhi në shtëpinë tonë në fshatin Vojnik, i shoqëruar nga dy veta. Kjo ardhje nuk ishte e rastësishme, ishte parapërgatitur me të vetmin qëllim dhe motiv për ta la veten për këtë krim dhe për t’ua hedhur fajin të tjerëve, shokëve të tij”, ka treguar Kastrioti.

“Erdhi kah ora 19.00 në mbrëmje dhe qëndroi deri në ora 21.30 min duke u “larë” e “shpërlarë” se ai vetë nuk ka gisht në këtë vrasje, por shokët e tij. Pse iu desh të mos na kujtonte kurrë as ne të gjallëve dhe as mësuesin e tij të vrarë, për më tepër se një dekadë, e befas të vendoste të sqarohej me ne, Hashim Thaçi?”, ka shtuar ai.

“Pas vizitës te ne, Hashim Thaçi i bëri thirrje publike prokurorit Lumezi që të hetonte dhe ndriçonte vrasjet me motive politike, ne e dimë se këtë e bëri sa për sy e faqe, sa për të bindur e manipuluar opinionin se kinse Hashim Thaçi nuk ka dore ne organizime te dhunes sistematike me motive politike, është kundër krimeve, dhe po kërkonte ndriçimin e vrasjeve politike.Ka nga ata qe edhe u besojne deklaratave te rrejshme e mashtruese te tij…”.

“Shtrohet pyetja a i konvenon Hashim Thaçit ndriçimi i vrasjes së Behadin Hallaçit Ali Ukajt, Ahmet Krasniqit, Enver Malokut, Haki Imerit, Xhemajl Mustafes, Ismet Rracit, Smajl Hajdarajt, Shaban Manaj, Bekim Kastratit, Besim Dajakut e shumë të tjerëve…!”, ka pyetur Kastriot Imeri./express/