Ditë zie në Kosovë – Identifikohen zyrtarisht viktimat dhe të plagosurit

E publikuar: 24/07/2016 11:56
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Sot në Kosovë është ditë zie në nderim të viktimave të sulmit terrorist në Munih.

Këtë vendim e bëri publik të shtunën, presidenti Kosovës, Hashim Thaçi, nëpërmjet një njoftimi për medie, në nderim të viktimave të sulmit në Munih, në mesin e të cilave edhe tre shtetas nga Kosova.

Në njoftimin e Zyrës së Presidentit thuhet se dita e zisë shpallet edhe “në solidarizim me popullin gjerman”.

“Me vendim të presidentit Thaçi, flamujt ulen në gjysmë shtizë në të gjitha objektet shtetërore të Republikës së Kosovës, brenda dhe jashtë vendit”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Presidentit.

Tri nga nëntë viktimat e sulmit më armë zjarri, nga një i ri gjermano-iranian, janë të rinj nga Kosova, kanë bërë të ditur autoritetet gjermane dhe Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës.

Të rinjtë nga Kosova të vrarë në Mynih janë “Aremela Segashi dhe Dijamant Zabërgja, si dhe shqiptarja Sabinë Sulaj e cila është në identifikim e sipër”.

MPJ në komunikatën e dërguar mbrëmjën e së shtunës njofton se është identifikuar së paku edhe një shtetase e Kosovës që rezulton në mesin e të plagosurve, ndërsa dy të tjerë që mund të jenë nga Kosova.

“Përfaqësuesit e policisë gjermane, përmes komunikimit zyrtar me autoritetet e shërbimit diplomatik dhe konsullor të Republikës së Kosovës në Mynih, kanë njoftuar se në mesin e të plagosurëve janë edhe tre shtetas tjerë sipas tyre aktualisht me status të panjohur të shtetësisë, Mirsad Jovanivic dhe Benet Adili, kurse Lumnije Azemi e datëlindjes 20.04.1972 është shtetase e Kosovës.”, thuhet në komunikatën e MPJ-së.

Dhjetë persona, përfshirë edhe sulmuesin e dyshuar, një 18 vjeçar gjermano-iranian, i lindur dhe rritur në Munih, janë vrarë gjatë sulmit.

Policia gjermane tha se “nuk janë gjetur dëshmi” të lidhjes me grupin Shteti Islamik në dhomën e shtëpisë së të dyshuarit për sulmin ne Munih, por la të kuptohet se “kishte lidhje të qarta” me vrasësin masiv norvegjez Anders Behring Breivik.

I dyshuari i vetëm u gjet i vdekur vetëm një kilometër larg nga Qendra Tregtare Olympia ku ndodhën vrasjet, me gjasë i vetëvrarë në kokë, tha policia.

Shefi i Policisë së Munihut, Hubertus Andrae, tha në një konferencë me gazetarë, të shtunën, se krimi dhe kryesi i tij absolutisht nuk kanë lidhje” me çështjen e fluksit të refugjatëve në Gjermani.

Andrae tha se sulmuesi – emri i të cilit nuk është zbuluar nga policia – ishte i obsesionuar me librat dhe shkrimet për vrasjet masive “që lidhen me maniakë”.

Prokurori i Mynihut, Steinkraus Koch, tha se i dyshuari kishte librin : “Rampage in Head: Why Students Kill” (Turbullira në kokë: Pse studentët vrasin).

Policia tha se “kishte një lidhje të qartë ndërmjet sulmit të Munihut me masakrën e para pesë vjetëve, kur u vranë 77 persona nga Breivik.

Njëzet e dy korriku i sulmit në Munih koincidon me 5-vjetorin e sulmeve në Norvegji.

Policia tha se sulmuesi vuante nga depresioni dhe se ishte në trajtim psikiatrik. Gjithashtu, u bë e ditur se 18-vjeçari ishte i armatosur me revolen Glock 9 mm dhe kishte 300 fishekë.

Autoritetet ndërkaq thonë se 18-vjeçari nënshtetas gjerman me origjinë nga Irani, mund të ketë provuar gjithashtu që të mbledhë sa më shumë viktima afër një prej restoranteve të “McDonalds”, ku edhe e ka nisur sulmin.

Ai, përmes një postimi fals në Facebook ka ofruar ushqime falas për ata që shkojnë në atë restorant, sqaron policia gjermane.

Në mesin e të vrarëve ka turq dhe një grek, kryesisht të rinj.

“Fëmijët qanin – u krijua kaos”.

Informatat e para për sulmin u dhanë të premten vonë pasdite. Dëshmitarët thanë se sulmuesi hapi zjarr mbi qytetarët në restorantin e ushqimit të shpejtë në rrugën Hanauer ndërkaq të shtënat i vazhdoi edhe në qendrën tregtare Olympia.

“Ishim në McDonald’s-in e afërt kur dëgjuam të shtënat. U krijua panik dhe i gjithë personeli i restoranit iki jashtë dhe pas tij edhe të gjithë njerëzit e tjerë.

Fëmijët filluan të qanin, u krijua kaos”, e përshkruan ngjarjen njëri nga dëshmitarët.

Ndërkohe, shefi i stafit të kancelares gjermane, Peter Altmaier, i pyetur nëse sulmi mund të ishte parandaluar, tha: “Mund të ketë siguri absolute vetëm në një shtet të mbikëqyrur absolutisht dhe askush nuk e dëshiron këtë. Do të ishte e kundërta e mënyrës së lirë të jetesës evropiane perëndimore”.

Presidenti i Gjermanisë, Joachim Gauck, e dënoi sulmin dhe tha se “ndjen me ata që janë në terren për të mbrojtur njerëz dhe shpëtuar jetë”.

Ministria e jashtme e Iranit e dënoi sulmin në qendrën tregtare në Mynih.

Zëdhënësi i MInistrisë. Bahram Hasemi, tha se “Irani e dënon këtë akt dhe shpreh solidaritetin me popullin gjerman dhe qeverinë e tij”.

Ai citohet të ketë thënë se “Irani e dënon vrasjen e njerëzve të pafajshëm dhe se rrugëdalja e vetme është lufta e përgjithshme dhe e pakusht ndaj terrorizmit”.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, premtoi mbështetje për Gjermaninë.

“Zotohemi se do të ofrojmë gjithë mbështetjen për të cilën mund të kenë nevojë”, tha Obama dhe shprehu solidaritet me të prekurit nga tragjedia.

Zëdhënësja e Departamentit amerikan i Shtetit, Elizabeth Trudeau, tha se autoritetet amerikane po punojnë me ato gjermane për të parë nëse ndonjë shtetas amerikan është prekur.

Ministri i Jashtëm i Britanisë, Boris Johnson, tha se është i tronditur nga “sulmi i tmerrshëm” dhe “humbja e jetëve”.

“Jemi të gatshëm për të ndihmuar miqtë tanë në Gjermani. Këshilla jonë për shtetasit britanikë në zonë është të qëndrojnë në ambiente të mbyllura dhe të ndjekin këshillat e autoriteteve lokale”, tha Johnson.

Rasti i mbrëmjes së 22 korrikut është rasti i tretë i një sulmi të madh kundër civilëve në Evropën Perëndimore në tetë ditët e fundit.

Përgjegjësinë për sulmet e mëparshme, ai në Nicë të Francës dhe në një tren në Bavari të Gjermanisë janë marrë nga grupi militant, Shteti Islamik.

Policia fillimisht edhe këtë sulm të mbrëmjes së 22 korrikut e ka trajtuar si incident terrorist, transmeton rel.

Këtë të premte është shënuar edhe pesë vjetori i masakrës së kryer nga Anders Behrin Beivik në Norvegji gjatë së cilës janë vrarë 77 persona. Breivik konsiderohet hero për militantët e të djathtës ekstreme në Evropë dhe Amerikë.(REL)