Dita kur Kreta u bë portokalli: Ishulli grek mbulohet prej pluhurit, që erdhi nga Saharaja (Foto)

E publikuar: 24/03/2018 06:25
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Banorët dhe turistët nuk mund t’i besonin syve, kur u zgjuan në mëngjes dhe Kreta kishte marrë një pamje sureale, shkaku i pluhurit që arriti nga Saharaja.

Imazhet e shpërndara në internet, e shfaqin ishullin grek të mbuluar me një shtresë portokalli, që kishte arritur nga shkretëtira e Afrikës, transmeton Telegrafi.

Kjo bëri që ambienti të mbushej me një mjegull të dendur, që dobësonte dukshmërinë, ndërsa ngjante sikur ishte nga ndonjë botë tjetër.

Masa e pluhurit dhe një ajër shumë i thatë, që formohet në pranverën e vonshme dhe vjeshtën e hershme, njihet si velloja sahariane. Gjatë kësaj kohe, shtëllungat e kësaj mase, fryjnë çdo tri ditë nga bregdeti afrikan.

Kjo shtresë qëndron 1,500 deri në 6,000 metra mbi sipërfaqen e Tokës, ndërsa lëvizë me shpejtësi të madhe.

Pluhuri ka përmbajtje të mëdha plumbi, zinku, kromi dhe vadiumi, që shkakton probleme në frymëmarrje, kryesisht atyre që kanë astma.

Fenomeni i njëjtë, kishte ndodhur gjatë vitit të kaluar nëpër disa pjesë të Britanisë së Madhe, përshirë edhe Londrën. Por, në intensitet shumë më të vogël.

Më 2013, ky pluhur kishte ndryshuar drejtim dhe goditi Teksasin e Shteteve të Bashkuara, kur për disa ditë me radhë, ambienti e kishte marrë ngjyrën portokalli. /Telegrafi/