Dita e Forcës

E publikuar: 27/11/2017 18:28
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

FSK është Ushtria e Kosovës, që po i mungon transformimi i shumëkërkuar. Si proces, qoftë me Kushtetutë dhe qoftë me ligj, themelimi i ushtrisë kosovare është plotësisht kushtetues.

FSK është institucioni më i besueshëm në Kosovë. Si të tillë, e kanë bërë shumë faktorë, por mbi të gjitha pjesëtarët e saj.

Të rinj, të edukuar dhe të trajnuar në standardet më demokratike të kësaj fushe, pjesëtarët e FSK-së kanë shkëlqyer kudo që i është dhunë rasti. Kudo që i është dhënë mundësia. Ky institucion, sigurisht, shpejt do të merr rolin dhe përgjegjësinë ushtarake. Një mision të cilin do ta ndërtojnë së bashku me partnerët strategjikë dhe të pazëvendësueshëm të Kosovës.

Porse, procesi për transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës (FAK) është dëshmuar të mos jetë i lehtë dhe pa vështirësi. Sigurisht, as optimistët më të mëdhenj nuk do të mund të parashihnin një proces krejtësisht të thjeshtë dhe të pakundërshtuar.

Sidoqoftë, vendimi për transformim duhet të mos lë hapësirë kontestimi. FAK nuk duhet të kontestohet. Ky është parimi themelor mbi të cilën vendimmarrësit marrin drejtimin final.

Është e qartë, besoj unë, se nuk po flasim për kontestim nga shumica e popullatës në Kosovë. Sepse, kjo as në versionin më pesimist nuk do të ekzistonte.

Madje, unë nuk po flas fare as për kontestimin nga Serbia, që bazuar në praktikën e deritashme do të ishte krejtësisht i pritshëm. Jo pse Kosova nuk ka të drejtë të themelojë Forcat e Armatosura, jo pse FAK nuk do të ofronte më shumë siguri edhe për komunitetin serb, por për shkak se politika në Serbi as nuk e ka parë të rëndësishme fqinjësinë e mirë me Kosovën dhe as nuk e ka parë të rëndësishme interesin dhe sigurinë e komunitetit serb në Kosovë.

Serbia gjatë këtyre viteve asnjëherë nuk është udhëhequr nga parimi i promovimit të interesit të jetës së përditshme të serbëve në Kosovë, por plotësisht ka ndjekur agjendën e vet në raport me Kosovën në tërësi. Anipse, jo rrallë herë është manipuluar me ndjenja të caktuara të serbëve kosovarë, politika në Serbi ka shikuar gjithherë rrugën e vet.

Në fakt, këtë do të duhej ta bënin në një moment të caktuar edhe serbët e Kosovës. Elita politike e serbëve kosovarë do të duhej të drejtohej saktësisht mbi interesin e jetës së përditshme të pjesëtarëve të komunitetit serb dhe të qytetarëve të Kosovës në tërësi.

Sepse, transformimi i FSK-së në FAK është në mbështetje të të gjithëve në Kosovë. I jep mundësinë këtij institucioni serioz të përparojë në profesionalizimin e vet. Në aftësinë e vet për t’i dalë në mbrojtje qytetarëve të Kosovës, në rend të parë. Pastaj, edhe në sigurinë rajonale dhe në sigurinë globale.

Qytetarët e Kosovës kanë gjithherë nevojë për mbrojtje dhe siguri. Në rastet e fatkeqësive të ndryshme, si ilustrim, që mund të shkaktohen nga natyra apo njeriu. Të tilla raste, asnjëherë nuk mund të mënjanjohen në planifikimin e sektorit të sigurisë. Të tilla raste duhet të trajtohen dhe adresohen në nivelim më profesional nga institucionet e sigurisë.

E tillë është FSK. E tillë, por shumë më e përparuar, do të jetë FAK.

Të rinjtë dhe të rejat e Kosovës e duan atdheun e tyre. Prandaj, i shërbejnë mbrojtjes së atdheut. Sot në FSK. Nesër në FAK. 

E duan popullin e Kosovës, prandaj i ofrojnë jetën e vet sigurisë së popullit të Kosovës.

Sot përmes FSK-së. Nesër përmes FAK-ut.