Distancimi social, “opsioni më efektiv”

E publikuar: 10/05/2020 12:31
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Derisa nuk ka vaksinë për COVID-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi, “ne vërtet duhet të aplikojmë distancim të ashpër social për të zvogëluar mundësinë që virusi të përhapet nga njeriu në njeri”, thotë Alexandre White, profesor i sociologjisë dhe historisë së mjekësisë në Universitetin Johns Hopkins të Shteteve të Bashkuara. Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, White flet për origjinën e karantinës dhe thotë se ajo ka qenë një opsion i sigurt në të kaluarën. Ai po ashtu thotë se njerëzit në karantinë duhet të mbështeten, por tërheq vërejtjen edhe për ksenofobinë që mund të ndodhë në këtë kohë.

Radio Evropa e Lirë: Zoti White, a funksionon karantina dhe a mund të ndalojë një sëmundje?

Alexandre White: Mendoj se është e rëndësishme të theksohet fillimisht se distancimi social dhe karantina dallojnë. Distancë sociale është ajo që po shohim aktualisht, që po mbahet nga shumica dërrmuese e popullatës në botë dhe që nënkupton lëvizje të kufizuar, distancim nga njëri-tjetri në vendet publike, veshje të maskës dhe kufizime të tjera kontaktesh. Karantina, në njëfarë mënyre, përshkruan më mirë masat e marra nga njerëzit që janë ekspozuar ndaj virusit dhe që përpiqen të menaxhojnë rrezikun e kontaktit të drejtpërdrejtë me sëmundjen. Këta janë njerëz që qëndrojnë ekskluzivisht brenda dhe larg të tjerëve. Historikisht, karantinat kanë qenë një zgjidhje efektive, sidomos kur nuk ka pasur trajtim farmaceutik. Tani me sëmundjen COVID-19, për të cilën nuk kemi ende vaksinë, ne vërtet duhet të aplikojmë distancim të ashpër social për të zvogëluar mundësinë që virusi të përhapet nga njeriu në njeri, në sasi të mëdha.

Radio Evropa e Lirë: Për sa kohë duhet të mbahen njerëzit në karantinë, që ajo të jetë e efektshme?

Alexandre White: Varet… Në rastin e sëmundjes COVID-19, duhet të shohim që numri i rasteve brenda ditës bie, numri i pacientëve të shtrirë bie. Po ashtu duhet të sigurojmë rritjen e kapacitetit të testimit, për të kontrolluar nivelin e përhapjes së sëmundjes, pasi të hiqet masa e distancimit social. Pra, për të hequr karantinën, duhet të shohim numër më të vogël rastesh.

Radio Evropa e Lirë: Kur janë përdorur më herët karantina të shkallës së gjerë?

Alexandre White: Historia e karantinës daton nga shekulli 13, kur anijet detyroheshin të ankoroheshin jashtë porteve për një periudhë 40-ditëshe. Kjo ka qenë një lloj mënyre për të menaxhuar përhapjen e një sëmundjeje. Në atë kohë, jo domosdoshmërisht e kanë ditur se sa ngjitëse është një sëmundje apo sa mund të përhapet, por e kanë ditur se një nivel i caktuar i distancës ka sukses në kontrollimin e saj. Hera e fundit kur kemi parë karantina në shkallë të gjerë, ka qenë në vitin 1918, kur është shfaqur gripi spanjoll. Për dallim nga ajo kohë, ne tani jemi më të avancuar në aspektin teknologjik dhe kemi më shumë njohuri rreth mjekësisë, por ngjashëm si tani, edhe atëherë në shumë vende janë aplikuar masa të ashpra të distancimit social. Është konstatuar se ato kanë pasur efekt bukur të madh në kufizimin e përhapjes së gripit. Pra, distancimi social, karantina, mund të jenë të suksesshme dhe kanë qenë të suksesshme në të kaluarën. Tani, derisa nuk kemi vaksinë për koronavirus, është vërtet opsioni më i sigurt dhe më efektiv.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë efekti social dhe ekonomik mund të ketë karantina?

Alexandre White: Aktualisht, ka një goditje të madhe ndaj ekonomisë, si pasojë e sëmundjes COVID-19, e cila i ka ngadalësuar bizneset dhe i ka ndaluar njerëzit të shkojnë në punë. Gjatë kohës së karantinës, [qeveritë] duhet t’iu ofrojnë një lloj mbështetjeje njerëzve që janë të mbyllur ose praktikojnë masa të distancimit social.

Radio Evropa e Lirë: Në një artikull të botuar në Hopkins Medicine, keni paralajmëruar për ksenofobinë në kohën e karantinës. Keni në mendje ndonjë rast konkret?

Alexandre White: Për fat të keq, këtë e kemi parë edhe në rastin e sëmundjes COVID-19. Në shumë vende të botës ka pasur sulme kundër njerëzve me origjinë aziatike, duke i akuzuar ata rrejshëm për përhapje të sëmundjes. Një shembull tjetër që dua ta sjell këtu është ai i vitit 1901 në Kejp Taun të Afrikës së Jugut, ku epidemia e murtajës bubonike ka prodhuar një karantinë të ndarë në mënyrë racore. Karantina e tillë më pas ka shërbyer si plan për ndarjet racore të qyteteve, para dhe gjatë aparteidit.

Radio Evropa e Lirë: Pandemia COVID-19 krahasohet shpesh me gripin spanjoll. A është ky një krahasim korrekt?

Alexandre White: Në disa mënyra është, në disa jo. Janë dy sëmundje të ndryshme, por janë përhapur ngjashëm. Ngjashëm, edhe në vitin 1918 [kur është shfaqur gripi spanjoll], ka pasur shumë paqartësi, sëmundja është konsideruar si e re. Nuk ka pasur shumë njohuri se si të parandalohet ose si të shërohet. Përgjigje ka qenë vetëm distancimi social. Sot, ngjashëm përballemi me një koronavirus të ri. Ngjashëm duhet të praktikojmë distancimin social, sepse nuk kemi vaksinë. Por, natyra e biologjisë së sëmundjes tregon se kemi të bëjmë me lloje të ndryshme të epidemive. Dhe, nuk duhet të mbështetemi te pandemia e vitit 1918.