Diskutimi për kufijtë, rrezik për resurset e Kosovës

E publikuar: 07/02/2019 09:03
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Reagime të ashpra kanë nxitur në Kosovë deklaratat e zyrtarëve të Brukselit se “Trepça” duhet të jetë temë diskutimi në negociatat e Brukselit.

Por një ditë më vonë zyrtarë të përfaqësueses së lartë së BE-së i “korrigjuan” këto deklarata, duke thënë se është në dorën e palëve t’i vendosin temat për diskutimin në tavolinën e negociatave, shkruan sot Koha Ditore.

Ndërkohë, Serbia në vazhdimësi ka bërë përpjekje që t’i ngrejë si tema edhe resurset e Kosovës, të cilat gjeografikisht ndodhen në pjesën veriore të populluar me shumicë serbe.

Njohës të zhvillimeve kanë thënë se pikërisht gatishmëria e liderëve kosovarë për të negociuar gjithçka me Serbinë ua ka hapur derën edhe diskutimeve për resurset ekonomike.

“Mendoj që procesi dialogues, deri më tani, është karakterizuar me shprehjen e gatishmërisë nga ana e palës kosovare për të dialoguar për çfarëdo teme që i intereson Serbisë. Rëndom, edhe deklarata e BE-së se, çështja e “Trepçës” duhet të negociohet në Bruksel e konfirmon atë që kanë deklaruar shumë njohës të këtyre zhvillimeve”, ka thënë për gazetën analisti, Krenar Shala.