Disa ish-punëtorë të “Al-Petrol-it” u detyruan të lënë punën për mungesë të rrogave (Video)

E publikuar: 30/10/2017 21:31
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Disa punëtorë që e lëshuan punën në kompaninë për distribuim të derivateve të naftës Al Petrol, ka disa muaj që nuk po i marrin pagat për kohën sa kishin punuar.

Valmira Osmani dhe Tefta Dërvisholli punuan më shumë se 5 vjet në këtë kompani, raporton KTV.

Valmira Osmani vendosi të ndërpresë punën në marsin e këtij viti, pavarësisht se ende kishte kontratë valide. Menaxhmenti, sipas saj, i premtoi që pas 15 ditësh do të merrte pagat e mbetura borxh, por kanë kaluar disa muaj dhe ajo nuk i mori paratë asnjëherë.

Madje, në aktvendimin për largim nga kompania, është thënë se arsyeja për largim nga puna është bërë për shkaqe shëndetësore, gjë që kundërshtohet nga Valmira.

Ndërsa, Tefta Dërvisholli thotë se për shkak të mosdhënies me kohë të pagave, shpesh është dashur të hyjë në borxh për të ardhur në punë, pavarësisht se me të njëjtën duhej të mbante familjen.

Në mesin e të larguarve, që, sipas punëtorëve janë rreth 20, është edhe Ronor Gashi.

Punëtorët tashmë janë duke i bërë gati dokumentet që të ankohen nëpër institucionet kompetente, pasi një gjë të tillë deri tash nuk e kishin bërë për shkak të shpresës se pagat do t’u dilnin.

Të premten kur KTV-ja kontaktoi me kompaninë që menaxhon me mediat në Al Petrol, zyrtarë të kësaj të fundit i ftuan punëtorët në takim, duke u premtuar se brenda dy ditësh do t’i merrnin të gjitha paratë që u kanë mbetur borxh. Mirëpo, me gjithë pritjet, punëtorët nuk i morën paratë as të hënën. KTV-ja ka kërkuar një sqarim nga kompania pse po vonohen pagat, por zyrtarë të saj kanë zgjedhur të mos përgjigjen.