Diplomati amerikan Hale vjen në Kosovë, taksa dhe dialogu arsyet kryesore të vizitës

E publikuar: 08/03/2019 08:34
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Zëvendës Sekretari amerikan i Shtetit, David Hale, do të qëndrojë më 8 dhe 9 mars në Beograd dhe në Prishtinë. Vizita e Hale vjen në kohën kur dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është bllokuar dhe kur SHBA’të po përpiqen të krijojnë rrethanat që procesi të vazhdojë. Ndërkohë, gjatë javëve që po lëmë pas krerët e shtetit kanë pritur mysafirë edhe nga Shtëpia e Bardhë.

Në një njoftim të departamentit amerikan të shtetit, thuhet se “në Beograd ai do të bisedojë me zyrtarët serbë marrëdhëniet dypalëshe dhe do të nxis kthimin në tryezën e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Ai do të diskutojë edhe me drejtuesit e shoqërisë civile për çështje rajonale e globale, përfshirë ndikimin rus dhe kinez në Ballkanin Perëndimorë”.

Më pas më 9 mars në Prishtinë, ai do të takojë udhëheqësit e lartë të Kosovës “për të nënvizuar mundësinë historike për të arritur një marrëveshje të plotë të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë dhe për të kërkuar masa për të arritur një zgjidhje”.

Hale është zyrtari më i lartë amerikan që kohët e fundit viziton Kosovën. Vizita e Hale vjen në kohën kur dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është bllokuar dhe kur SHBA’të po përpiqen të krijojnë rrethanat që procesi të vazhdojë.Lexo më

Javën që lamë pas, dy zyrtarë të lartë të Këshillit Kombëtar të Sigurisë, qëndruan për dy ditë në Kosovë për të siguruar pezullimin e tarifave, ndërsa paralajmëruan shtimin masave ndëshkuese nëse Kosova vazhdon të refuzojë kërkesat e tilla.

Ndryshe, Gazeta Express kishte raportuar para një jave se një nga njerëzit kryesor të Departamentit të Shtetit Amerikan, diplomati David Hale do të vizitojë Kosovën me 8 dhe 9 mars.

Këtë për Gazetën Express e kishin konfirmuar nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë.

“Nënsekretari për Çështje Politike në Departamentin e Shtetit, David Hale, planifikon të jetë në Prishtinë me 8-9 mars”, thuhet në konfirmimin e Ambasadës amerikane për Express.

David Hale detyrën e tij të nënsekretarit të Shtetit për Çështje Politike e ka marrë me 30 gusht të vitit 2018. Ai ka shërbyer si ambasador në Pakistan, Liban, ka qenë i dërguar special për paqen në Lindjen e Mesme, dhe ambasador në Jordani, dhe gjithashtu kishte shërbyer edhe në Misionin Amerikan në OKB.

Gjatë viteve 2008/9, Hale në Uashington kishte qenë zëvendës ndihmës sekretar i Shtetit për Izraelin, Egjiptin dhe Levant [regjion në Azi]. Ai gjithashtu ka qenë Drejtor për Çështje ndërmjet Izraelit dhe Palestinës gjatë viteve 2001-2003.

Gjithashtu Hale kishte qenë edhe asistent ekzekutiv i Sekretares së Shtetit, Madeleine Albright.

Diplomati amerikan Hale gjithashtu ishte shpërblyer me disa çmime për punën gjatë gjithë karrierës së tij./GazetaExpress/