Dikur ishin të bardha, e sot të gjelbra – ekzistojnë dy arsye pse kirurgët i veshin këto rroba

E publikuar: 30/06/2020 12:36
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në fillim të shekullit 20-të, rrobat e bardha të kirurgëve janë ndërruar me ato të gjelbra, por a e keni pyetur ndonjëherë veten se pse ka ndodhur një gjë e tillë?

Uniformat e mjekëve, përfshirë edhe ato të kirurgëve që i veshin gjatë intervenimeve kirurgjike, dikur kanë qenë të bardha sepse ngjyra e bardhë në përgjithësi simbolizon pastërtinë, transmeton Telegrafi.

Por, në fillim të shekullit 20-të, rrobat e bardha të kirurgëve janë ndërruar me të gjelbra dhe atë për dy arsye.

Nëse kirurgu vazhdimisht shikon në të kuqe dhe vjollcë, gjë që është rasti më i shpeshtë gjatë intervenimeve kirurgjike, truri i tij bëhet më pak i ndjeshëm ndaj dallimeve të këtyre ngjyrave.

Por, nëse kohë pas kohe shikon në diçka që ka ngjyrë të gjelbër, sytë e tij “pushojnë” dhe rritet niveli i përqendrimit dhe ndjeshmërisë ndaj ngjyrës së kuqe apo nuancave të ndryshme të kësaj ngjyrë, që nganjëherë kanë rëndësi të madhe gjatë operacioneve, ka shpjeguar psikologu John Werner nga Universiteti i Kalifornisë.

Arsyeja tjetër që është ndërruar ngjyra e uniformës së mjekëve nga e bardhja në të gjelbër, është që fokusi i vazhdueshëm ndaj ngjyrës së kuqe nxit “shkëlqim” kur shikimi kthehet nga një hapësirë e bardhë, ngjashëm ndodh gjatë dimrit kur fillimisht shikoni diellin dhe më pas borën, ka shpjeguar mjekja Paola Bresan e cila studion iluzionet optike në Universitetin e Padovës në Itali.

Uniformat e bardha mund të dekoncentrojnë ekipin e kirurgëve. Por, nëse kirurgu e zhvendos shikimin në të gjelbër apo uniformë të kaltër, ky shkëlqim nuk shfaqet dhe nuk ia tërheq vëmendjen.