Diamanti rozë që prek shifrën e 30 milionë dollarëve

E publikuar: 08/11/2017 16:54
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

“The Raj Pink”, një diamant rozë që nga ekspertët cilësohet si më i madhi në botë, pritet të shitet mbi 30 milionë dollarë javën e ardhshme, kur edhe do të dalë në një ankand në Gjenevë.

Guri, që peshon mbi 37 karatë, është ekspozuar nga shtëpia e ankandeve “Sotheby’s” në qytetin zviceran të mërkurën.

“Çdo diamant rozë është individual. Janë të gjithë të ndryshëm. Këtë gur, ne e kemi vlerësuar në 20-30 milionë dollarë, që i bie të jetë pak nën një milionë dollarë për karat. Do të shohim çfarë do të ndodhë. Ai është ekstremisht i rrallë. Si më i madhi i njohur i kategorisë së tij, ai ka zgjedhur shumë vëmendje”, tha David Bennett, nga “Sotheby’s”.

Diamanti është zbuluar në vitin 2015 dhe del në ankand nga një pronar anonim. Shitjet e mëparshme për diamantë rozë më të vegjël kanë regjistruar shifra prej më shumë se një milion dollarë për karat në ankande, transmeton tch.

“Vetëm një fraksion i të gjithë diamanteve që gjenden në botë kanë ngjyrim rozë, por një diamant si ky, me këtë ngjyrë, është shumë i rrallë. Diamantët rozë kanë qenë gjithnjë mes më të dëshiruarve për koleksionistët dhe ndër më të adhuruarit. Nuk ka asgjë më të bukur në botën e diamantëve, sesa një diamant rozë”, tha më tej David Bennett.

Një diamant rozë 24.78 karatësh u shit në nëntor të vitit 2010 në Gjenevë për një çmim prej 46 milionë dollarësh, çmim ky rekord për karat për diamantët rozë.