Dialogu Kosovë-Serbi në Bruksel vazhdon në nivel koordinatorësh

E publikuar: 23/07/2020 08:50
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Koordinatorët nga Kosova dhe Serbia do të takohen sot në Bruksel, ku do të diskutojnë temat që u biseduan në takimin e nivelit të lartë Kosovë-Serbi që u mbajt javën e shkuar nën ndërmjetësimin e BE-së, ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Kështu tha zëdhënësja e Bashkimit Evropian, për Çështje të Jashtme dhe Politika të Sigurisë në BE, Nabila Massrali.

“Ne i kemi dërguar ftesat, presim që të dëgjojmë nga palët. Takimi i nivelit të ekspertëve do të fokusohet në temat që janë diskutuar”, thotë Massrali.

Ekspertët e të dyja vendeve, sipas Prishtinës zyrtare, do ta përgatisin draftin e marrëveshjes finale Kosovë-Serbi. Ndërsa kundërshtojnë pohimet që dialogu i së enjtes në Bruksel ka karakter teknik.

Kryeministri Hoti, tha në mbledhjen e qeverisë, se objektivat janë të qarta për ta përmbyllur këtë proces dhe jo të vazhdon si dialog teknik”.

“Mbi bazën e platformës janë mbajtur diskutime deri më tash duke filluar nga Samiti i Parisit dhe të dy palët jemi ulur dhe kemi dhënë qëndrimet tona. Unë kam prezantuar platformën tonë që janë parimet kryesore dhe objektivat tona që i kemi ne në këtë proces. Objektivi i jonë është të përmbyllim procesin, e jo dialogu teknik. Dje e kam emëruar koordinatorin për dialog që ka marr përsipër të gjitha”, tha kryeministri Hoti.

Koordinator nga Kosova në dialog është emëruar Skender Hyseni, i cili në Bruksel udhëton së bashku me Ibrahim Makollin.

Sipas kryeministrit, ata “do ta bëjnë draftimin e marrëveshjes finale, sa i përket çështjes së të pagjeturve”./kp/