Dialogu e kompromisi – Kosova përplas ministrin serb me ambasadorin amerikan

E publikuar: 26/03/2019 20:31
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ambasadori i SHBA-ve në Serbi, Kyle Scott tha se kur është fjala për Kosovën, nuk duhet të fajësohen vetëm këta të fundit, por të dy palët duhet të kthehen në tryezën e negociatave.

Ministri i Brendshëm i Serbisë, Nebojsha Stefanoviq, në anën tjetër thotë se Beogradi pranon se çdo zgjidhje duhet të miratohet në mënyrë paqësore, por autoritetet e Kosovës nuk tregojnë dëshirë për këtë, përcjell lajmi.net.

Scott, në një konferencë për shtyp në Beograd, duke iu përgjigjur komentit të Stefanoviqit mbi situatën në Kosovë, tha se pajtohet me ministrin e brendshëm serb se situata është e komplikuar dhe e vështirë.

“Mendoj se nuk është e dobishme të fajësohet vetëm njëra palë, ka shumë faj tek të dy anët, por zgjidhja nuk është të adresojmë fajin në anën tjetër, por të kthehemi në tryezën negociuese”, tha Scott.

Sipas tij është e nevojshme të kthehet dialogu në normaliteti dhe me seriozitet të punohet për të gjetur zgjidhjen e problemit midis Kosovës dhe Serbisë, për një marrëveshje gjithëpërfshirëse.

“Ky është qëllimi i SHBA-ve dhe BE-së dhe ne i inkurajojmë të dy palët që të ndërmarrin hapa dhe të vazhdojnë punën në këtë drejtim”, tha ambasadori i SHBA-ve, duke shtuar se pret që Qeveria e Kosovës me mbështetjen e autoriteteve serbe, të zbulojnë vrasësin e një prej udhëheqësve serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq.

Stefanoviqi i tha ambasadorit  Scott se ai nuk dëshiron të hyjë në polemikë me të, sepse ai beson se pavarësisht nga pikëpamjet e ndryshme që SHBA-të dhe Serbia kanë për Kosovën, çështja e stabilitetit, sigurisë dhe jetës normale është e njëjtë.

Por përsëri ministri serb nuk është duruar pa u futur në polemikë me ambasadorin e SHBA-ve në Serbi, duke i thënë se Kosova është fajtore.

“Serbia nganjëherë kërkon të thotë nëse po përpiqemi të bëjmë mirë dhe pala tjetër rrënon çdo përpjekje nga këto përpjekje, për të përmirësuar gjendjen. Letra e dërguar nga SHBA-të për heqjen e taksave ndaj mallrave serbe ishte e dobishme, por pas kësaj, një fushatë më e fortë ishte e nevojshme, si nga BE ashtu edhe nga SHBA-të.

Stefanoviq ka shtuar se Serbia pajtohet që çdo zgjidhje duhet të miratohet në mënyrë paqësore dhe bashkëpunuese por duke këmbëngulur se Kosova po e pengon procesin e normalizimit të marrëdhënieve.

“Ne nuk kemi vënë taksë për askënd, asnjëherë, ato janë futur nga autoritetet e Prishtinës. Gjithashtu, ata nuk përmbushën asnjë nga ato marrëveshje që nënshkruar në marrëveshjen e Bruskelit për pesë vjet dhe për fat të keq autoritetet e Prishtinës nuk tregojnë asnjë shenjë se duan kompromis me Serbinë”, tha Stefanoviq.

Ky i fundit ka shtuar gjithashtu se në Kosovë presin që serbët të plotësojnë gjithçka që Kosova do, por kjo është e pamundur, pasi një kompromis i tillë është i papranueshëm për palën serbe.

Ndërsa në anën tjetër, ambasadori i SHBA-ve në Serbi, Kyle Scott ka insistuar se faji qëndron tek të dy palët dhe ka ftuar të dy palët të kthehen në tryezën e diskutimeve. /