Dhjetëra të vrarë në dy sulme në xhami në Afghanistan

E publikuar: 20/10/2017 22:23
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Autoritetet në Afganistan thanë se një shpërthim vetëvrasës në një xhami shiite përplot me besimtarë në Kabul la pas vetes të paktën 40 të vrarë dhe dhjetëra të plagosur.

Dëshmitarët dhe zyrtarët e sigurisë i thanë Zërit të Amerikës se sulmuesi hyri në xhaminë Imam Zaman të premten në mbrëmje në zonën perëndimore Dashti Barchh të kryeqytetit dhe hodhi veten në erë. Gra dhe fëmijë ishin në mesin e viktimave.

Askush nuk e mori përgjegjësinë por dyshimet bien mbi degën e grupit militant Shteti Islamik në Afganistan i cili ka marrë përsipër përgjegjësinë për sulmet e fundit në tempujt fetar shiit në Kabul dhe gjetiu në Afganistan.

Më herët një sulm vetëvrasës ndodhi në një xhami në krahinën Ghor të Afganistanit. Zyrtarët i thanë Zërit te Amerikës se të paktën 20 besimtarë u vranë dhe shumë të tjerë u plagosën.

Askush ende nuk e ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm.

Afro 200 veta, pjesa më e madhe pjesëtarë të forcave të sigurisë u vranë në sulme të ndryshme të militantëve gjithandej Afganistanit këtë javë, duke e bërë javën më vdekjeprurëse në muajt e fundit.

Një sulm me bomba dhe armë zjarri të enjten në krahinën e Kandaharit la pas vetes të paktën 43 ushtarë të vrarë. Sulmuesit pothuajse e fshinë nga faqja e dheut bazën e ushtrisë afgane në Maiwand.

Të martën një sulm mbi shtabin e policisë në krahinën Paktia la pas vetes 60 të vrarë dhe 300 të plagosur. Shefi i policisë krahinore ishte në mesin e të vrarëve. Një sulm tjetër të njëjtën ditë në krahinën Ghazni, la pas vetes 20 të vrarë.