Dhjetëra të vrarë në ditën e zgjedhjeve në Pakistan

E publikuar: 25/07/2018 13:32
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Të paktën 31 veta janë vrarë dhe 40 të tjerë janë plagosur nga një shpërthim pranë një qendre votimi të mërkurën në Pakistanin jugperëndimorë, vetëm pak orë pasi që miliona votues filluan të hedhin votën e tyre në zgjedhjet parlamentare.

Një zyrtar i lartë i policisë i tha Zërit të Amerikës se sulmuesi vetëvrasës me një motoçikletë sulmoi turmën jashtë qendrës së votimit në Quetta. Në mesin e viktimave kishte votues, pjesëtarë të policisë dhe veprimtarë politikë.

Grupi radikal Shteti Islamik mori përsipër përgjegjësinë për sulmin e së mërkurës. Quetta është kryeqyteti i krahinës Baluchistan, ku një sulm vetëvrasës me bomba më herët gjatë muajit në një tubim parazgjedhor, la pas vetes 151 të vrarë, përfshirë një kandidat për zgjedhjet krahinore. Grupi Shteti Islamik mori po ashtu përgjegjësinë për të.

Votimet e së mërkurës i japin fund një fushate të trazuar nga dhuna dhe pohimet për ndërhyrje nga strukturat e fuqishme ushtarake të vendit.

Zgjedhjet karakterizohen nga një garë e ngushët ndërmjet partisë së ish-kryeministrit Naswaz Sharif, Pakistan Muslim League-Nawaz (PML-N) dhe partisë Pakistani Tehreek-e-Insaf (PTI), të udhëhequr nga ish-ylli i kriketit, Imran Khan, i cili është zotuar të çrrënjosë korrupsionin dhe të krijojë një “shtet islamik të mirëqenies”.

PML-N e ka akuzuar ushtrinë se po e ndihmon Imran Khanin dhe PTI-në për të fituar zgjedhjet, një akuzë që është hedhur poshtë me forcë nga të dyja palët. Ushtria ka qeverisur vendin 200 milionësh me shumicë myslimane gjatë gjysmës së historisë 70 vjeçare të tij.

Shanset elektorale të partisë PML-N janë tronditur gjithashtu nga dënimi në mungesë e Nawaz Sharifit me herët gjatë këtij muaji, nën akuzta për korrupsion duke përfshirë pronat e shtrenjta që ai dhe familja e tij mbajnë jashtë shtetit. Ish kryeministri Sharif, i cili u dërgua në paraburgim pasi u kthye nga Britania gati dy javë më parë, e ka denoncuar vendimin si të motivuar politikisht dhe akuzoi një aleancë të fshehtë ushtarako-gjyqësore për përpjekjet për ta mbajtur jashtë politikës dhe për të dëmtuar integritetin e partisë së tij PML-N.

Fushata para votimeve mbeti nën hijen e dhunës që la pas vetes më shumë se 170 të vrarë. Qindra mijëra ushtarë dhe policë janë shpërndarë gjithandej në mbi 85 mijë qendra votimi në Pakistan për të ofruar siguri.

As PML-N e as PTI, nuk presin të fitojnë shumicën në parlamentin kombëtar 342 vendesh dhe cilido që të jetë fituesi do të jetë i detyruar të negociojë me partitë më të vogla për të ngritur qeverinë.