Detaje të reja, pse Gani Thaçi i rrahu zyrtarët e Byrosë Kosovare të Sigurimeve

E publikuar: 25/10/2018 18:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Vëllai i madh i Presidentit të Kosovës ka sulmuar dje fizikisht dy drejtorë të Byrosë Kosovare të Sigurimeve kryetarin e Këshillit të BSK’së, sllovenin Gianni Sokolic dhe drejtorin e Byrosë, Blerim Pushkollin. Madje fajin e të vëllait e pranoi dje edhe Presidenti Thaçi kur kërkoi që ai të hetohet në përputhje me ligjin. Gazeta Express sjell detaje të reja për sulmin e vëllait të Presidentit, përfshirë edhe reagimin e Ambasadës së Sllovenisë e cila në përgjigje thotë se është “në dijeni” të ngjarjes
Gazeta Express merr vesh për të gjithë ngjarjen në detaje se si ka ndodhur. Kush kë e ka goditur dhe kush janë të përfshirit në përleshje? Express gjithashtu ka biseduar me avokatin e Gani Thaçit, i cili ka mohuar gjithçka.

Lexo edhe:

Ekskluzive: Gjatë incidentit të Gani Thaçit audio-incizimi u ndërpre

Gani Thaçi, vëlla i presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, ka sulmuar të mërkurën fizikisht drejtorin e Byrosë Kosovarë të Sigurimeve (BKS), Blerim Pushkollin dhe Kryetarin e Këshillit të Kompanive të Sigurimit, shtetasin slloven Gianni Sokolic.

Menjëherë pas përleshjes, Prokuroria Themelore bëri të ditur se të lënduar nga ky sulm ka mbetur vetëm Blerim Pushkolli, drejtori i BSK’së. Por, sot doli të jetë i lënduar edhe shtetasi slloven Gianni Sokolic.

Gazeta Express merr vesh nga burimet e saj se përleshja fillimisht nisi në mes të Thaçit dhe Sokolic, për shkak të një ndryshimi që Sokolic si kryetar i Këshillit, e kishte paraqitur në mbledhjen e djeshme të Bordit të BSK’së.

Ndryshimi pati të bëjë me strukturën e BSK’së.

“Aty, koordinatori (Gani Thaçi) me kryetarin e Këshillit (Sokolic), kanë pas polemika të ashpra. Ka pas probleme rreth pikës për ndryshime. Gianni Sokolic i ka paraqitë ndryshimet për strukturim të BSK’së, mandej e ka marrë fjalën koordinatori (Gani Thaçi)”, thotë një burim i Expressit.

Express merr vesh se pas polemikave në mes të Sokolicit dhe Gani Thaçit, ky i fundit e ka pyetur Sokolicin: “a po tenton me ma shu pozitën time si koordinator a?”.

“Pas, kësaj, Thaçi e ka goditë Sokolicin, ku më pas ka tentu me i nda drejtori (Blerim Pushkolli). Thaçi tani e ka sulmu edhe Pushkollin fizikisht. Në ato momente, asistentja ka dale t’u kajtë edhe e ka thirrë shoferin e koordinatorit për me i nda këta. Tani ka dalë prej zyrës Blerim Pushkollit dhe anëtarët e tjerë të Këshillit”, ka thënë një burim i mirinformuar për Express.

Motivin e përleshjes e konfirmon edhe avokati i Gani Thaçit, Skender Musa.

Musa për Express e konfirmoi se mosmarrëveshja ndodhi rreth një draft statuti, i cili tha së është ndryshuar “pa marrë miratimin e njerëzve kompetentë”.

“Është diskutu për draftstatutin është tensionu situata, pikërisht për një pikë ku bëhet sistemimi i vendeve të punës”, tha avokati.

Por, avokati për përleshjen që ndodhi dje e ka një version tjetër.

“Ka pas një mosmarrëveshje gjatë diskutimit të disa pikave, mirëpo nuk ka pas sulm nga ana e të mbrojturit tim në drejtim të drejtorit të BSK-së. … nuk është e vërtet se klienti im e ka goditë, i pari z. Pushkolli. Ka pas një përleshje dhe në atë përleshje z. Pushkolli nuk është lëndu”, tha avokati.

Ai madje hodhi poshtë edhe deklarimin e prokurorisë, e cila dje ka thënë se në përleshje është përfshirë edhe shoferi i Gani Thaçit.

“Nuk është përfshi shoferi, përkundrazi shoferi ka ndërhy e ka nal z. Pushkolli që të mos e sulmojë z. Thaci”, mohoi avokati.

Musa tha për Express se gjatë mosmarrëveshjes klienti i tij (Gani Thaçi), ka pësuar lëndime trupore në dy pjesë të ballit, “…në anën e majtë gjithashtu ka pësuar lëndime edhe në syrin e majtë. Fatmirësisht lëndimet nuk janë të rana”.

Ai tha se nuk ka pas sulm të drejtuar ose me dashje në drejtim të drejtorit të BSK-së (Blerim Pushkolli), e as ndaj kryetari të këshillit të Kompanive të Sigurimit (Gianni Sokolic).

“Gjendja faktike që është marr nga fotografitë që janë bërë edhe nga vet hetuesit e policisë, tregojnë që klienti im ka pësu lëndime, dhe unë konsiderojë se klienti im është palë e lëndune”, ka thënë avokati i vëllait të Presidentit.

Krejt në fund, avokati konfirmoi se Thaçit nuk iu është shqiptuar ndonjë masë, për shkak se për këtë vepër penale nuk parashihet t’i jepet masë e paraburgimit ose masë tjetër dhe se rasti është në hetime fillestare.

E Prokurori përgjegjës për komunikim me media në Prokurorinë Themelore në Prishtinës, Ibrahim Berisha, ka thënë të enjten për Gazetën Express se ende nuk dihet motivi i kësaj përleshjeje, ku u përfshi vëllai i Presidentit Thaçi, Ganiu.

Berisha tha se prokurori i rastit i ka intervistuar personat e përfshirë në përleshje, dhe sipas informatave, konfirmoi se edhe shtetasi slloven ka mbetur i lënduar nga ky sulm.

“Ka ndodhë një incident, janë grushtu dhe rasti është në procedurë. Prokurori i ka intervistu tre personat e përfshirë”, ka thënë Berisha për Express.

E Ambasada Sllovene në Kosovë, e ka konfirmuar për Express se janë të njoftuar për përleshjen ku ishte i përfshirë edhe shtetasi slloven Gianni Sokolic, edhe pse, i përfshirë si viktimë e sulmit./GazetaExpress/