Detaje nga krimi i paralajmëruar në Brekoc të Gjakovës i pandaluar nga Policia (Video)

E publikuar: 08/08/2018 20:30
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Policia e Gjakovës nuk i kishte dalë në ndihmë viktimës Valbona Marku-Nrecaj, e cila e kishte denoncuar kërcënimin që i ishte bërë nga bashkëshorti i saj, vetëm 5 orë para se ai ta vriste, raporton KTV.

Pjetër Nrecaj e ka vrarë me kallashnikov edhe vajzën e tij 9-vjeçare, derisa kishte të kaluar kriminale si person që vazhdimisht kishte ushtruar dhunë në familje.

Valbona Marku-Nrecaj, nënë e 5 fëmijëve, për 16 vjet kishte duruar torturën që ia kishte shkaktuar bashkëshorti i saj.

Fundi i durimit ishte data 12 maj, kur e kishte denoncuar atë në Polici dhe ai ishte arrestuar për një muaj.

Në këtë situatë, Valbona u detyrua të kthehej në familjen e saj në Brekovc të Gjakovës dhe kishin filluar procedurat e shkurorëzimit.

Sipas familjarëve, Valbona ishte rehat me fëmijët e saj në familje deri në kohën kur Pjetër Nrecaj kishte dalë nga burgu.

Sipas tyre, Nrecaj kishte kërkuar që ajo t’i kthehej, por Valbona nuk dëshironte dhe këtu filluan shantazhet e kërcënimet.

Sipas tij, Pjetër Nrecaj kishte arritur që me dhunë t’ia marrë 2 fëmijët Valbonës.

Ai ka akuzuar edhe policinë që nuk dërgoi një patrullë që ta mbronte Valbonën pas shumë kërcënimeve që kishte marrë nga vrasësi.

Dhe, të martën, Pjetër Nrecaj ia mësyu familjes Marku, por kësaj radhe me kallashnikov.

Shenjat e plumbave kanë mbetur në ballkonin e shtëpisë ku u vra Valbona 37-vjeçare dhe vajza 9-vjeçare.

Familja Marku ka hapur edhe të pame dhe dhimbja e tyre për humbjen e dy jetëve është e madhe.

Kryeprokurori në Gjakovë, thotë se menjëherë kanë dalë në vend të ngjarjes dhe i dyshuari është dorëzuar, por armën e kanë gjetur tek pas 2 orëve.

Ai e pohon se në deklaratën e Valbona Markut flitej për dhunë të shpeshtë që ishte ushtruar ndaj saj.

Sipas tij, policia e ka kërkuar Pjetër Nrecajn, por nuk kishte arritur ta gjente.

Ende nuk dihet se kur do të bëhet varrimi i gruas dhe vajzës së saj, sepse janë ende në procedurë të kryerjes së obduksionit në Institutin e Mjekësisë Ligjore.