Detaje nga dy aksidentet e sotme që lanë të vdekur 4 persona dhe 2 të lënduar

E publikuar: 16/03/2019 19:23
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

3 persona, njëri 20 vjeç, tjetri 21 dhe një 23 vjeçar, kanë vdekur si pasojë e një aksidenti në magjistralen Shtime-Suharekë përkatësisht në Qafë të Dulës. Aksidenti ka ndodhur në mes të një veture të tipit golf 6, një kamioni si dhe një kombi.

Sipas informacioneve të para të Policisë, aksidenti ka ndodhur si pasojë e mospërshtatjes së shpejtësisë nga automjeti në të cilin ndodheshin tashmë tri viktimat.

Lëndime të trupore ka marrë drejtuesi i kombit.

Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, ka dalë në vend të ngjarjes dhe ka thënë se dy nga viktima janë nga Prishtina dhe një nga Lipjani.

Një 63-vjeçar ka vdekur derisa 2 vajza janë lënduar në një aksident tjetër në fshatin Vitomericë të Pejës.

Njëra nga të lënduarat është në gjendje të rëndë dhe është dërguar për tretman në QKUK.

Sipas Policisë, në aksident janë përfshirë një veturë e tipit ‘Mercedes’ dhe një ‘VW’.

I tronditur me lajmin është shprehur kryeministri Ramush Haradinaj, i cili bëri thirrje për respektim të rregullave në komunikacion. “Tragjeditë kaq të shpeshta e me pasoja fatale janë shqetësuese për të gjithë ne. U bëj thirrje qytetarëve që t’i respektojnë rregullat e komunikacionit dhe të vozisin me përgjegjësi, ndërsa institucioneve përgjegjëse që të ndërmarrin të gjitha veprimet adekuate në parandalimin e aksidenteve, të cilat po përgjakin rrugët e Kosovës”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.