Dështon gjykimi në Mitrovicë, i akuzuari po jeton në Serbi

E publikuar: 03/11/2018 15:45
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Marjan Iliq, i akuzuar për veprën penale “Vrasje e rëndë në tentativë”, edhe pse ishte ftuar në mënyrë të rregullt nuk erdhi në gjykatën e Mitrovicës.
Andaj seanca e shqyrtimit fillestar e paraparë që të mbahej dje në gjykatën e Mitrovicës ka dështuar.

Gjyqtari i rastit, Burim Ademi ka njoftuar se me 19 tetor gjykata i kishte dërguar urdhëresë në Stacionin Policor në Veri, ku kishte kërkuar që të akuzuarit Iliq t’i dërgohej ftesa për këtë seancë.

Por Ademi bëri të ditur se nga përgjigja e marrë më 31 tetor, rezulton se i akuzuari nuk është gjetur në adresën e dhënë.

Gjyqtari Ademi ishte njoftuar nga policia se, pas një komunikimi që kishin bërë me të akuzuarin Iliq përmes telefonit, ky i fundit i ka njoftuar se që një kohë jeton në Rashkë të Serbisë, dhe se nuk mund të marrë pjesë në këtë seancë, duke cekur se për këtë çështje penale e ka caktuar avokatin Ljubomir Pantoviq për mbrojtës të tij.

Pas kësaj shqyrtimi fillestar është shtyrë për 16 nëntor.

Ndryshe Prokuroria e atëhershme Publike e Qarkut në Mitrovicë akuzon Marjan Iliq se më 14 janar 2010, në Leposaviq, përballë kafe bar “VOX”, me dashje ka tentuar ti privojë nga jeta të dëmtuarit, Ivan Simiq, Sasha Lazareviq dhe Goran Millunoviq.

Ngjarja kishte ndodhur gjersa festohej festa e Vitit të Ri, kur i akuzuari Iliq, kishte ftuar të dëmtuarin Goran të dalë jashtë lokalit ku me të dalin edhe dy të dëmtuarit Lazareviq dhe Millunoviq, me ç ‘rast i pandehuri shtie me armë zjarri tre herë në drejtim të të dëmtuarve, të cilët arrijnë të fshihen prapa shkallëve në korridorin e kafe barit “VOX”.

Me këtë veprim, që sipas prokurorisë është vënë në rrezik edhe jeta e personave të tjerë të cilët ishin aty prezent, Iliq akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë në tentativë” ./kallxo.com