Dështimi i formimit të Qeverisë – Fundi i epokës së Merkelit

E publikuar: 20/11/2017 11:57
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Bisedimet për formimi e koalicionit qeveritar në Gjermani kanë dështuar, duke e lënë Angela Merkel përballë sfidës më të madhe në 12 vitet e saj si kancelare e shtetit.

Demokratët e Lirë (FDP) u tërhoqën pas katër javë bisedimesh me partinë e Merkelit, bllokun CDU/CSU dhe Partinë e të Gjelbërve, situatë kjo që mund të çojë vendin në zgjedhje të reja.

Kreu i FDP-së, Christian Lindner, u shpreh se mosbesimi në mes të palëve ishte shkaku i dështimit të bisedimeve.

Lindner tha se “është më mirë të mos qeveriset fare sesa të qeveriset keq”, derisa theksoi se gjatë bisedimeve, palët nuk kishin vizion të përbashkët për të modernizuar vendin.

Merkel në anën tjetër shprehu keqardhje për përmbysjen e këtyre bisedimeve duke thënë se ishin shumë afër marrëveshjes.

“Ne besuam se ishin në rrugë të mirë, ku do të ishte e mundshme arritja e një marrëveshjeje”, u tha Merkel gazetarëve në Berlin.

“Kjo është një ditë e reflektimit të thellë se si do të ecim përpara në Gjermani…si kancelare e vendit, do të bëjë gjithçka për t’u siguruar që ky vend do të drejtohet si duhet në javët e vështira që po vijnë”, tha Merkel.

Ende mbetet e paqartë se si do të rrjedhin gjërat në të ardhmen, Merkel tha se do ta njoftojë formalisht presidentin gjerman Frank-Walter Steinmeier, për dështimin e bisedimeve, i cili ka kompetencat për të thirrur zgjedhje të reja në vend.

Nëse këto zhvillime do të çojnë vendin në zgjedhje të reja, disa liderë gjermanë kanë shprehur shqetësimet e tyre se votimet mund të krijojnë hapësirë për partinë e djathtë AfD, e cila në zgjedhjet e kaluara mori 13 për qind të votave.

AfD njihet si partia kundër evropiane, e cila fitoi 94 ulëse në Parlamentin gjerman me qëndrimet e tyre kundër imigracionit dhe kundër islamit.

Për Gjermaninë e pasluftës, kjo situatë po konsiderohet si kriza më e thellë politike që mund t’i japë fund epokës së Merkelit, e cila në zgjedhjet e shtatorit shënoi rënie të konsiderueshme.

Sipas BBC, nëse vendi shkon në zgjedhje, nuk është e sigurt nëse partia e Merkelit, do ia besojë asaj udhëheqësinë.

Politikat liberale të Merkelit lejuan 1.2 milion refugjatë të hyjnë në Gjermani, që nga viti 2015-të. Kjo sipas analistëve është shkaku i rezultatit jo të mirë për partinë e kancelares, dhe rrjedhimisht bëri që votuesit të pozicionohen pranë partisë së qendrës së djathtë AfD.

Dështimi për të formuar Qeverinë në ekonominë më të madhe në Evropë, mund të ndikojë reformat në eurozonë e deri te marrëdhëniet me Britaninë pas largimit të saj nga Bashkimi Evropian.

Derisa Merkel po luftonte për një mandat të katërt, ajo theksoi performancën ekonomike të vendit gjithnjë në rritje që nga viti 2010 dhe numra rekord të uljes së papunësisë, që sipas saj ndikuan që ajo që fitojë besimin e votuesve.

Megjithatë, ekonomistët e kanë akuzuar atë , duke sugjeruar se Merkel duhet ta rishikojë sistemin e taksave dhe ta punojë që ky sistem të jetë më i pranueshëm dhe shtytës i investimeve në infrastrukturën dixhitale.

Përgatiti: Linda Gjokaj