Dëshmitari lëshon seancën për shkak të vonesës së trupit gjykues, dështon gjykimi ndaj ish-drejtorit të Pallatit të Rinisë

E publikuar: 19/06/2018 16:06
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Vonesa e trupit gjykues për më shumë se një orë, ka bërë që dëshmitari Ilir Dugolli, të largohet nga salla e gjykimit të martën në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Dëshmitari Dugolli, ishte paraparë të vazhdojë dëshminë e tij të cilën e kishte lënë në gjysmë në seancën e 6 qershorit të këtij viti, në rastin ku për keqpërdorim të pozitës zyrtare po akuzohet ish-ushtruesi i detyrës së drejtorit të Pallatit të Rinisë në Prishtinë, Bajram Uka.

Ai për shkak të vonesës e ka lëshuar seancën dhe atë pa lejen e trupit gjykues.

Në këtë seancë, përveç Dugollit, ishte paraparë të dëgjohej edhe dëshmitari tjetër Besim Zeka, por që edhe ky ka munguar.

Dëshmitari Zeka edhe pse kishte qenë i njoftuar për kohën e mbajtjes së seancës, i njëjti mungesën e tij nuk e ka arsyetuar.

Kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Shadije Gërguri, e ka caktuar seancën e radhës e cila pritet të mbahet më 10 korrik 2018, në ora 8:30.

Ndryshe, në shqyrtimin fillestar të mbajtur në nëntor të vitit të kaluar, i akuzuari ishte deklaruar i pafajshëm për akuzën që i vihet në barrë, raporton betimiperdrejtesi.com.

Sipas aktakuzës, Bajram Uka në vazhdimësi nga viti 2006 e deri në vitin 2013, si person zyrtar ushtrues detyre i Drejtorit të Pallatit të Rinisë, kishte tejkaluar kompetencat e tij zyrtare, duke keqpërdorur pasurinë e Qeverisë së Kosovës, e cila pasuri ishte nën përkujdesen e tij.

Prokuroria pretendon se këtë e kishte bërë me qëllim që të përfitojë institucioni shkollor “American School of Kosova”. Sipas prokurorisë, i pandehuri e kishe lejuar shkollën amerikane, përkatësisht pronarin e saj ta shfrytëzojë amfiteatrin në sipërfaqe prej 483 m2, sipërfaqe e cila nuk ka qenë në ofertë publike që të lëshohet me qira.