Dëshmia: Imami Bujar Hysa i tha tim shoqi, “nëse gruaja s’mbulohet, priti kokën”

E publikuar: 30/09/2015 11:45
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Dëshmia e një të moshuare shkaktoi një situatë të fortë tensioni në seancën e djeshme te Krimet e Rënda në procesin ndaj nëntë të dyshuarve për rekrutimin dhe dërgimin e besimtarëve myslimanë në Siri.
E mbushur me mllef, dëshmitarja Nazmie Allxhaka rrëfeu për largimin nga Shqipëria të bashkëshortit të saj në janar 2014, i cili, sipas Prokurorisë, është dërguar nga të pandehurit në Siri, shkruan gazeta Panorama.
Teksa po shpjegonte për një mjekim popullor që i kishin bërë bashkëshortit të saj, ajo përdori etiketimin “mjekërcjepër” për të pandehurit. Kjo deklaratë solli reagimin e tyre të ashpër dhe po ashtu të familjarëve e mbështetësve të tyre në sallë.
Gjaknxehur, ata shpërthyen në fyerje ndaj dëshmitares. Urdhri i gjykatës për punonjësit e policisë në sallë për nxjerrjen jashtë të personit në publik që po shfaqte agresivitet përkeqësoi situatën. Përpjekjet e policëve për të zbatuar urdhrin u kundërshtuan në grup nga të pranishmit, si dhe nga të pandehurit, të cilët nuk kursyen fyerjet ndaj punonjësve të Policisë.
Për arsye sigurie, trupi gjykues u largua nga salla e gjyqit dhe më pas, duke shfaqur revoltë, salla u braktis nga të pandehurit dhe mbështetësit e tyre. Gruaja mes te tjerash ka treguar se imami Hysa i kishte thënë burrit te saj se gruaja duhet te rrinte e mbuluar.
“Ditë më vonë, kur e kishte pyetur për herë të tretë dhe burri i kishte thënë që nuk isha mbuluar, Bujar Hysa i kishte thënë Mustafait: Nëse gruaja nuk të mbulohet, priti kokën”.