Derbi spektakolar, Man. United gjunjëzohet nga Man. City

E publikuar: 10/09/2016 17:06
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në ” Teatrin e Ëndrrave” bëhet realitet ëndrra e tifozëve të Manchester City-it. Citiziens triumfuan me shifrat 2-1 brenda në Old Trafford ndaj Manchester United duke bërë të tyrin derbin e parë sezonal. U fitua nga Pep Guardiola derbi i parë i Manchester-it me trajnerin spanjoll që mposhti edhe njëherë tjetër rivalin e tij më të madh për momentin portugezin Jose Mourinho duke e thelluar edhe shumë avantazhin përsa i sukseseve në përballjet mes tyre. Rikthimi i Premier League në ekranin e Supersport përkoi me një spektakël të vërtetë futbolli pasi në Old Trafford u zhvillua një ndeshje e cmendur pa asnjë sekondë ndalesë gjatë gjithë 90 minutëshit plus shtesat. Ibrahimovich nuk mjaftoi për Manchester United që u dorëzua në shtëpi përballë një City që në këtë sfidë vinte pa sulmuesin kryesor argjentinasin Sergio Aguero. 15 minuta mjaftuan që kjo ndeshje të ndizej në maksimum. Iheanacho i hedhur në fushë nga Guardiola për të zëvendësuar Agueron, pasoi saktë për De Bruyne i cili pasi dogji në kohë me një veprim spektakolar, holandezin Blind, i vetëm përballë De Geas nuk fali duke u dhënë epërsinë miqëve.

Ritmi i lojës u rrit akoma më shumë pas golit të parë Manchester City-it. Më mirë skuadra e Guardiolës edhe gjatë minutave vazhdim. Kontrolli i topit dhe sulmet e njëpasnjëshme të City-it u shpërblyen në të 36-tën, kur Kelechi Iheanacho, talenti nigerian i Citiziens shtyu drejt rrjetës një top të kthyer nga shtylla pas një tjetër tentative të Kevin De Bruynes.

0-2 për Manchester City-in, por edhe pse u gjendën në disavantazh të dy golave, Djajtë e Kuq nuk u dorëzuan dhe për të rihapur sfidën mendoi Zlatan Ibrahimovich.

Në të 42-tën gjigandi suedez përfitoi nga një dalje e pastudiuar Claudio Bravos i cili debutonte me Manchester City, duke ndëshkuar miqtë.

Emocionet ishin akoma edhe më të mëdha në fraksionin e dytë. United e kërkoi me cdo kusht golin e barazimit edhe pse në minutat e fundit ishte me fat që nuk pësoi gola të tjerë. Hyrja në fushë e Marcus Rashford dhe Ander Herreras ndryshoi disi lojën e skuadrës së Jose Mourinhos. Në minutën e 70-të, Manchester United arriti të barazonte shifrat por goli u anullua për një pozicion jashtë loje, pas devijimit që Ibrahimovich i bëri goditjes së Rashford. 5 minuta më pas Kevin De Bruyne absolutisht më i miri në fushë për Manchester City-in goditi sërish shtyllën. Pavarssisht përpjekjeve të United dhe një goditjeje të Ibrës në minutat shtesë në Old Trafford, gjithcka u mbyll me suksesin 2-1 të City-it që falë kësaj fitoreje kryeson klasfikimin në kuotën e 12 pikëve.