Derbi i Italisë “vishet” bardhezi, Cuadrado thyen Interin

E publikuar: 05/02/2017 23:46
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Derbi i 168 i Italisë vishet bardhezi. Juventusi tregon qartë se as këtë sezon nuk synon të heqë dorë nga titulli duke dhënë një sinjal të qartë se trofeu i më të mirit në Itali është një çështje pothuajse e mbyllur. Zonja e Vjetër dominoi Interin në një 90 minutësh spektakolar të luajtur në “Juventus Stadium” ku konfirmoi se ky stadium mbetet kështjella ku askush nuk ka arritur të marrë pikë në 28 ndeshjet e fundit. Kolumbiani Cuadrado ishte njeriu që finalizoi me një të djathtë të paarritshme për të ndalur edhe ecurinë pozitive të skuadrës së Piolit që zbriti në Torino pas 7 fitoreve rresht në kampionat. Menjëherë me gazin në maksimum, të dyja skuadrat e nisën ndeshjen me objektivin për të gjetur sa më parë rrugën e rrjetës dhe sinjalin e parë e dha skuadra e Allegrit që në minutën e tretë me një gditje me roveshatë të Dybalas që u ndal nga Handanovic. Sërish Juventus 8 minuta më pas por këtë herë ishte transversa që ndali goditjen e argjentinasit. Interi u zgjua në të 22-ën me kombinimin Icardi-Joao Mario por finalizimi i portugezit kaloi ngjitur me shtyllën. Inter sërish në të 37-ën me protagonist Perisic, goditja e të cilit u prit nga Buffon. Asnjë sekondë frymëmarrje sepse Manzukic humbi nga sytë e Murillos por ishte i paqartë në finalizimin me kokë. Ritëm frenetik për një pjesë të parë spektakolare sepse Interi tregoi mentalitet sulmues me Perisic që vuri sërish në provë Buffon. Dy minutat e fundit rezultuan fatale për zikaltërit që humbën përqëndrimin dhe lejuan Juventusin që të rrezikonte fillimisht me Pjanic nga goditja e dënimit. Boshnjaku u ndal nga Handanovic dhe tranversa, por jo super Cuadrado që pak sekonda më pas e stampon topin në rrjetë.

Derbi i Italisë jo më kot e e mban mbi shpatulla këtë gradë sepse në kuadratin e blertë lufta sportive u bë edhe më e ashpër në pjesën e dytë. Juventus me armatën e rëndë bardhezi mësyu në mesfushën e Interit. Minuta e 54 rezervoi sërish drithërima me një pasim të saktë të Higuain për Dybala, por Handanovic veshi kostumin e heroit. Sërish Juventus dhe sërish Dybala me një vertikalizim për Higuain por Handanovic nuk kishte aspak ndërmend të ngrinte flamurin e bardhë. Kaq mjaftoi në “Juventus Stadium” për suksesin e 18 në kampionat të skuadrës së Allegrit që këtë sezon kërkon rekordin e titullit të gjashtë rresht, ndërsa Interi bie dhe humbet njëkohësisht vendin e katërt, duke u ridimensionuar pas një jave të vështirë që nisi me atë humbje në çerekfinalen e Kupës së Italisë.