Deputetja e VV-së i kundërpërgjigjet Hazirit: Ne jemi ndarë në dysh por LDK në 4 apo 5 grupe

E publikuar: 24/03/2018 19:21
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje Arbërie Nagavci, nuk i ka konsideruar serioze kritikat e nënkryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lufti Haziri drejtuar VV-së për sipas tij mosgatishmërinë e kësaj partie politike për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj, shkruan Insajderi.

Sipas Hazirit ky pozicionim indiferent i VV-së është për shkak të përçarjes së kësaj partie. Por në një prononcim të Nagavcit për Insajderin ka thënë se deklarata e tillë nuk qëndron, duke thënë se VV është e gatshme të bashkëpunojë për çështjet që janë të mira për vendin.

Më tej ajo duke iu kundërpërgjigjur Hazirit ka thënë se nëse VV është ndarë në dy grupe atëherë LDK ka probleme edhe më të mëdha për shkak se sipas saj janë të ndara në katër apo pesë grupe.

“Vetëvendosje është e gatshme gjithmonë me i bë këto ndryshime nuk e di kush nga LDK ka bërë një deklarim të tillë, por nuk kanë qenë të sinqertë sepse nëse Lëvizja Vetëvendosje ka probleme Lidhja Demokratike e Kosovës ka më shumë probleme”.

“LVV është ndarë në dy grupe, ndërsa LDK i ka së paku 4 apo 5 grupe të cilat ata janë të vetëdijshëm, sido që të jetë të gjitha nismat që janë në interes ne do t’i mbështesim nuk e di a kanë bërë ndonjë propozim që të bëhen diskutime rreth kësaj çështje kështu që nuk e di si mund të diskutohet më tej për këtë çështje”, ka thënë Nagavci për Insadjerin.

Ajo ka thënë se çdo kërkesë serioze që do të bëhet nga LDK për këtë çështje do të diskutohet në forumet e partisë.

“Mendoj se krejt çështje që vinë si kërkesa serioze dhe jo vetëm si deklarata nëpër media dhe politike, por çdo kërkesë serioze do ta diskutojmë në forumet tona dhe do ta flasim së bashku dhe sigurisht do ta diskutojmë me gjithë opozitën për çështjen që janë në të mirë të vendit. Iniciativa të përbashkëta ka pasur edhe në të kaluarën dhe nuk e shoh si problematike”, ka thënë Nagavci.

Haziri gjatë ditës së sotme ka deklaruar se VV është duke kaluar në një ndarje të brendshme dhe si e tillë nuk ka në agjendë t’i bashkohet LDK-së në rrëzimin e Qeverisë Haradinaj.

“Realisht Vetëvendosja po kalon në procesin e ndarjes së brendshme politike dhe për ta nuk ka agjendë tjetër pos ajo që po merren me ato politika, ka ende dallime por ka shumë çështje që mund të na bashkojnë nesër në këtë rrugë”, kishte deklaruar Haziri.

Kujtojmë se raportet mes LDK-se dhe VV-së ishin përkeqësuar pas Kallëzimeve Penale dorëzuara nga VV kundër kryetarit të LDK-së Isa Mustafa./Insajderi.com