Deputeti i LDK: Jemi në koalicion me ata që mund t’i kenë kryer vrasjet e pasluftës

E publikuar: 12/01/2017 00:32
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputeti i LDK-së, Adem Salihaj derisa ka folur për 18 vjetorin e vrasjes së veprimtarit Enver Maloku ka thënë se tash për tash është e pamundur që të zbardhen të gjitha vrasjet e veprimtarëve të këtij subjekti politik, njofton Klan Kosova.

“Kemi mbi 30 veprimtarë të LDK-së që janë vrarë, disa gjatë luftës, pas dhe disa me vonë. Prej tyre janë vetëm rasti im dhe Ukë Bytyqit që janë ndriçuar”.

“Nuk ka mundësi tash për tash që të zbulohen këto vrasje, sepse akterët që i kanë kryer janë të fuqishëm dhe i kanë mekanizmat në dorë”, ka thënë Salihaj.

“Janë bërë shumë premtime gjatë fushatës, por nuk mund të zbatohen. Kemi thënë se do t’i zbardhim këto raste, por jemi partner në koalicion me ata që mund t’i kenë kryer këto vrasje”.

“Ata që janë ideator dhe kanë bërë propagandë të hapur ndaj figurave politike të LDK-së janë në skenën politike. Pa ndryshuar skena politike dhe segmentet e pushtetit pa u pastruar nga elementët e krimit nuk mund të zbardhen këto vrasje”, ka pohuar Salihaj në Ora e Fundit.

“LDK nuk ka ndikim në segmentet që mund t’i zbardh këto raste”, shton Salihaj.