Deputeti jep dorëheqje: Kisha një lidhje jashtëmartesore

E publikuar: 12/02/2016 09:20
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputeti japonez, Kensuke Miyazaki, i cili hapi një debat të madh ne vend mbi “lejen e lindjes” për baballarët, ka dorëzuar mandatin e tij pasi ka deklaruar se kishte një lidhje jashtëmartesore ndërsa gruaja e tij ishte shtatzënë.

Muajin e kaluar, Miyazaki u bë ligjvënësi i parë që mori “lejen e lindjes” duke nxitur një debat nëse politikanët kanë të drejtë të marrin një leje të tillë.

Deputeti i Partisë Liberale Demokrate sipas lajmit të BBC-së që transmeton TopChannel, kërkoi falje gjatë konferencës për shtyp, ku edhe paraqiti dorëheqjen e tij. “Kërkoj sinqerisht falje për zhurmën që krijova”, deklaroi ai para gazetarëve.

Në të vërtetë, tabloidi japonez “Shukan Bunshun” publikoi në fillim të kësaj jave një foto ku shihet Miyazaki me një grua, që besohet të jetë një modele, duke u larguar nga shtëpia e tij në Kyoto.

Tabloidi raportoi se foto është shkrepur disa ditë përpara se gruaja e Miyazakit, Megumi Kaneko e cila gjithashtu është deputete nga e njëjta parti, të sillte në jetë fëmijën e çiftit.