Deputeti i PDK-së kërkon veprim urgjent: Situata me COVID-19 buzë kolapsit

E publikuar: 31/07/2020 21:41
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Bekim Haxhiu ka akuzuar Qeverinë e Avdullah Hotit dhe ish-Qeverinë e Albin Kurtit për gjendjen e krijuar me koronavirus në vend, ku vetëm në dy ditët e fundit janë shënuar shifra rekorde të rasteve me përfundim fatal.

Ai ka thënë se është momenti i fundit që përgjegjësit institucionalë të veprojnë, pasi që situata me pandeminë është kritike dhe buzë kolapsit.
“Interesat grupore, politike, partiake dhe elektorale ishin prioritet i Qeverive të mashtrimit Hoti dhe Kurti të cilat nuk e kishin prioritet problemin e madh të pandemisë COVID-19. Demaskimi i “partnerëve të mashtrimit” u pa më së miri dje në Kuvend të Kosovës kur deputetët e partive LDK e LVV nuk votuan amendamentin tim për rritjen e pagave për profesionistët shëndetësorë, policinë dhe për punësim të stafit të ri në spitale”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.

Postimi i plotë:

Situata me pandeminë është kritike, buzë kolapsit !
1650 raste pozitive dhe 63 raste të vdekjes janë regjistruar vetëm në javën e fundit.
Numri i rasteve aktive ka arritur në 3525, QKUK dhe spitalet rajonale janë të stërmbushura me pacientë.
Personeli shëndetësorë tani e 5 muaj po e bëjnë maksimumin në përkujdesjen ndaj pacientëve por është stërlodhur për shkak të mbi ngarkesës, 5 mjekë kanë humbur jetën në betejë me koronavirusin dhe 765 profesionistë shëndetësorë janë infektuar me COVID-19.

Situata me pandeminë në Kosovë është përkeqësuar për shkak të lirimit të masave:

-pa miratuar Ligjin Anti-COVID-19,
-lirimit pa masa të qarta mbrojtëse,

-për shkak të keqmenaxhimit,
-për shkak të keqpërdorimeve në kohë të pandemisë,
-për shkak të vendosjes se personave politik, jo kompetent në vendimmarrje dhe në udhëheqje,
-për shkak se dominuan interesat politike, partiake e elektorale para shëndetit të qytetarëve,
-për shkak të vendimmarrjes populiste dhe joprofesionale.

Interesat grupore, politike, partiake dhe elektorale ishin prioritet i Qeverive të mashtrimit Hoti dhe Kurti, të cilat nuk e kishin prioritet problemin e madh të pandemisë COVID-19.

Demaskimi i “partnerëve të mashtrimit” u pa më së miri dje në Kuvend të Kosovës kur deputetët e partive LDK e LVV nuk votuan amendamentin tim për rritjen e pagave për profesionistët shëndetësorë, policinë dhe për punësim të stafit të ri në spitale.

Është momenti i fundit që përgjegjësit institucionalë të veprojnë sepse nesër mund të bëhet vonë.

Të nderuar qytetarë, pasi që qeveritë e mashtrimit nuk janë të shqetësuar me 1650 raste pozitive dhe 63 vdekje nga COVID-19 në javën e fundit dhe 31 vdekje në 48 orë e fundit, ju bëj apel që të jeni të kujdesshëm dhe të përgjegjshëm, të respektoni masat mbrojtëse, mbani maska, mbani distancën, mos u përshëndetni dorë më dorë, pastroni duart, dezinfektoni ambientin ku jetoni e punoni.