Deputeti i AAK-së paralajmëron seancë të vështirë: Më së miri të mos ishte nënshkruar fare

E publikuar: 21/02/2018 20:09
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Muharrem Nitaj një ditë para seancës së jashtëzakonshme për ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi ka thënë se kjo marrëveshje më së miri do të ishte të mos nënshkruhej fare në vitin 2015.

Nitaj po ashtu ka thënë se më së miri kishte me qenë që demarkacioni të mos kishte qenë kusht për liberalizimin e vizave.

“E mira e së mirës do të ishte që Kosova të mos e kishte nënshkruar asnjëherë marrëveshjen e demarkacionit te vitit 2015, por ja që e ka nënshkruar. E mira e së mirës do të ishte që demarkacioni e liberalizimi te mos kushtëzoheshin njëra nga tjetra, por ja që janë lidhur”, ka shkruar Nitaj në Facebook.

Nitaj po ashtu ka paralajmëruar se kjo seancë nuk do të jetë aspak e lehtë.

“Nga projektligji që do të nxirret nesër në Kuvend, pashe që një Qeveri e përgjegjshme ka baze të mjaftueshme ligjore që ta korrektoje kufirin. Sigurisht se kjo nuk do të jete aspak e lehte, por është krejtësisht e realizueshme. Prandaj unë do ta votoj ketë ligj, sepse besoj se kjo është “e mira” e vetme e mbetur”, ka shkruar Nitaj./insajderi/