Deputetët s`pajtohen për demarkacionin me Malin e Zi

E publikuar: 21/02/2018 23:10
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputetët e Kuvendit të Kosovës janë shfaqur me qëndrime të ndryshme sa i takon Demarkacionit me Malin e Zi, për të cilin do të deklarohen me votë në seancën e të enjtes në Kuvendin e Kosovës. Ata kanë folur të mërkurën në RTK, në emsionin “Monitor”.

Hajdar Beqa nga Partia Demokratike e Kosovës ka thënë se si PDK kanë pasur qëndrim konsistent që është e domosdoshme që dy shtetet ta shënojnë vijën kufitare dhe se asnjëri shtet nuk ka pasur pretendime.

“Mali i Zi është nga shtetet që e ka njohur Kosovën. Deklarata e dy presidentëve është pjesë e ligjit.  Ne duhet ta ndihmojmë popullin dhe të marrim vendime që të ecim përpara dhe nesër pres që nesër të votohet”, ka thënë ai.

Ali Lajçi nga lëvizja Vetëvendosje ka thënë se deklarata e dy presidentëve nuk është asgjë e re në rastin e Marrëveshjes. “Deklarata e presidentëve është politike dhe pa implikime juridike. Paraqet një konstrukt për konsum të brendshëm si kamuflazhë mashtrimi. Kemi një deklaratë shtesë që nuk jep diçka tjetër pos përforcimit për të votuar Projektligjin e 2016”, ka thënë ai.

Shkumbin Demaliaj nga AAK ka thënë se tashmë po përmbyllet çështja e Demarkacionit. “AAK ka qenë kundër raportit Meha, ai komision është shkarkuar. Preambula e Projektligjit që nesër vjen në Kuvend është deklarata e dy presidentëve. Për vendimet e mëdha duhet të bëhemi bashkë”, ka thënë ai.

Deputeti i LDK-së, Haxhi Abdyli, ka qenë i ftuar në emsion, por nuk ka marrë pjesë. /rtklive/