Departamenti i Shtetit: Mos udhëtoni nëpër Serbi për shkak të fruthit

E publikuar: 20/01/2018 16:50
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Departamenti Amerikan i Shtetit ka lëshuar një paralajmërim ku u bën thirrje qytetarëve amerikan që të kenë kujdes para se të planifikojnë të udhëtojnë për në Serbi, shkaku i një epidemie që është përhapur në këtë shtet.

Bëhet fjalë për epideminë e fruthit, e cila po përhapet me të madhe në Serbi, epidemi e cila transmetohet shumë lehtë nga një person te personat tjerë, edhe përmes ajrit, shkruan gazetametro.

Instituti për Shëndetin Publik të Serbisë “Milan Jovanovic Batut” ka njoftuar gjatë javës se në këtë shtet në tre muajt e fundit janë paraqitur 1 mijë e 114 raste.

Ky institut bën të ditur se nga ky numër 224 raste janë të evidentuara nëpër zonat e banuar me serbë në Kosovë.

Me fruth janë evidentuar edhe 13 punëtorë shëndetësor, mjekë dhe infermierë, të cilët me shumë gjasë virusin e kanë marrë nga pacientët që kanë trajtuar.

Departamenti Amerikan i Shtetit ka këshilluar qytetarët amerikanë që nëse vendosin të udhëtojnë për në Serbi, paraprakisht të sigurohen, duke marrë vaksinat e nevojshme, që parandalojnë prekjen nga kjo epidemi./GAZETAEXPRESS/