Denoncova, denoncova, denoncova…

E publikuar: 02/07/2015 18:40
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nasho Bakalli

Denoncova, denoncova, denoncova …Janë fjalët që shpalosin paprerë prej mëse dy dekadash liderët e shtetit shqiptar, duke filluar nga Ramiz Alia. Ai denoncoi diktaturën e proletariatit, ideologu kryesor i të cilës ishte për 40 vite rresht! Pastaj me radhë, në kohë, vinë presidentët e “pavarur”, deri te Bujar Nishani, pa nënvleftësuar kryeparlamentarë, kryeministra, ministra, deputetë, të djathtë e të majtë! Të gjithë këta janë shpura gjigande e denoncuesve. Të kujt? Të Shqipërisë, dhe të popullit shqiptar! Ku? Në parlament, presidencë, qeveri, dhe në foltoret e Brukselit, Uashingtonit, NATO-s, Ballkanit. A thua të jenë dishepuj, ata?

Ka diçka jonormale, apo jo? Ku? Te fryma e denoncimeve. Lulzim Basha, për shembull, denoncoi, para një jave, në mjediset e Brukselit, qeverinë e ASHE-së si instrumenti që shkatërroi zgjedhjet e 21 qershorit 2015, … si kërcënim real për demokracinë shqiptare! Dhe nëse Lulzim Basha, Bujar Nishani, e të tjerë “ish-a” e shijojnë paprerë madhështinë vetjake, kjo ndodh edhe sepse një pjesë e antarësisë së  partive politike e gjen veten te vesi i denoncuesit. Po të llogaritim sa orë denoncime kanë konsumuar “udhëheqësit popullorë”, nga dje deri më sot, atëherë, në mos gjë tjetër, mund të themi me plot gojën se ia kanë dalë-me veprën e tyre.

Më në fund Shqipëria është fort e dukshme për keq, në botë. Kështu nuk mund të vazhdohet, me lojën e “denoncuesit”, përndryshe, të antishqiptarit. Jemi shtet, dhe ashtu siç ndodh në vendet e BE-së, të ndodhë edhe këtu. Katër janë hapat bazë në politikëbërjen reale: mbledhja e fakteve, negociimi, vetëpastrimi dhe veprimi direkt.  Po, bashkësia e “denoncuesve” kurrë nuk i realizoi ato hapa. Këtë e provojnë rezultatet shpartalluese të zgjedhjeve të 23 qershorit 2013 dhe të 21 qershori 2015. Nuk i hodhi e nuk po i hedh ende ato katër hapa as i pavaruri, pushteti gjyqësor. Nuk mund të mohohet se padrejtësia po e fundos këtë vend.

Pse? Sepse “denoncuesit” dhe gjyqtarët janë bashkarisht të lidhur. Le të marrim, për shembull, Tiranën ku “tironsit”, prej 23 vitesh, mbajnë në rafte trumba shkresash në osmanisht, italisht, shqip lidhur me pasuritë e tyre të paluajtshme në qytet, fshatra. Ndërkohë, qindramijëra njerëz të joshur nga “denoncuesit” dhe të mbështetur në vendime të hierarkisë të pushtetit gjyqësor-janë bërë pronarë të “freskët” të anëve dhe mesit të  kryeqytetit! Mbetemi me shpresë se qëllimi final i “denoncuesve” dhe gjykatësve nuk është privatizimi i trojeve e ndërtesave ku ushtrojnë veprimtarinë institucionet shtetërore shqiptare! Gjithçka ka ndodhur e po ndodh përkundrejt shënjtërisë së pronës private, lirisë e të drejtave të njeriut, në nivel kombëtar, është shprehje e koncentruar e ushtrimit të luftës klasore, nga kush?

Nga “denoncuesit” dhe “sherifët” e drejtësisë, kundër kujt? Kundër pasardhësve të borgjezisë së vjetër, kundër atyre që të varfër ishin në diktaturë e të varfër mbeten, kundër rinisë padallim, kundër dëlirësisë së mendimit intelektual shqiptar, kundër pasurive të shumta natyrore të vendit. Prandaj Departamenti Amerikan i Shtetit, vit pas viti, ka raportuar-publikuar edhe para pak ditësh-gjendjen skandaloze të gjyqësorit shqiptar. Po me kë e ke-thonë në Shkodër!

Gjithësesi, qeveria e re

1) ka vërejtur e dërguar në prokurori mullarë me fakte kundër “denoncuesve” e qoleve të tyre;

2) negocion me aktorët joshtetërorë në vend, BE dhe SHBA;

3) punon të gjejë një solucion vetëpastrimi, nga ata “mëngjërashë” që kërkojnë 3000-5000 euro për një vend pune;

4) nxit dhe mbështet, pa anashkaluar opozitën, veprimin direkt me objekt reformimin e sistemit gjyqësor.

Megjithatë, drejtësia është ende shumë larg. Sepse, periudha 1992 – 2015 ishte e artë për bashkësinë e “denoncuesve” dhe gjykatësve. Ari që kanë grumbulluar në duart e tyre, tregon se tashmë ata janë një klasë, jo e madhe, po me tipare klasike, madje. Në Romën e lashtë, veçanërisht gjatë Republikës së fundit, ishte klasa e autoritaristëve dhe gjyqtarëve ajo që iu adresua dhunës së turmës për të rrëzuar nga pushteti shumicën republikëdashëse, në Senat.

Megjithëse kanë kaluar rreth 2000 vite, konstatoj se: ideologjia që këshilloi revoltën anti-komuniste të viteve 1991-1992 dhe atë anti-autoritariste të 21 janarit 2013, ndryshon me atë “pro-demokracisë” që këshillon Lulzim Basha, nga Brukseli, kur thotë se: PD do të nisë një betejë frontale për të vënë para përgjegjësisë politike dhe ligjore ata që guxuan të deformojnë vullnetin e zgjedhësve shqiptarë! Ta përfytyrosh revoltë në kokën tënde është gjë që ndodh, por ta sistemosh, kodifikosh, ta bësh atë operacionale do të thotë se ke në mendje një agjendë të dyfishtë. Cila është ajo? Denonco sot, dhe nënshtro nesër.