Dënohet me pesë vjet burg ferizajasi që dhunoi të miturën

E publikuar: 01/04/2019 16:20
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gjykata Themelore në Ferizaj sot shpalli aktgjykim dënues ndaj të pandehurit A.H i cili sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelorë në Ferizaj akuzohet se ka kryer veprën penale dhunimi sipas Kodit Penal të Kosovës.

Trupi Gjykues të pandehurin A.H. për veprën penale të ngarkuar sipas aktakuzës, e shpalli fajtor dhe i shqiptoi dënim burgimi në kohëzgjatje prej pesë vjet, në të cilin dënim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

A.H, akuzohet se në dhjetor të vitit 2018 në Komunën e Ferizajt, përkatësisht në shtëpinë e tij, ka keqpërdorur seksualisht të dëmtuarën – të mitur E., në atë mënyrë që posa e ka dërguar në shtëpinë e tij e ka futur në një dhomë dhe aty e ka detyruar për të kryer akt seksual pa pëlqimin e saj, duke përdorur forcën me të cilin rast i ka shkaktuar lëndime të lehta trupore.

Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 15 ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. Ankesa i drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë, përmes Gjykatës Themelore të Ferizajt.